Itali, 27 qershor 2014 – Dy hajdutë shqiptarë kishin zgjedhur për të vjedhur vilën e gabuar në qytezën e Kasorecos (Casorezzo) afër Milanos. Ndërsa hajdutët kishin filluar të kontrollonin sirtarët për sende me vlerë, i zoti i vilës del nga banjoja, ku po bënte dush. Hajdutët e pafat kishin zgjedhur të grabisnin vilën e Walther Orru ish kampion i shumëfishtë i Body-Building-ut në Itali dhe ish kampion evropian i Muay –Thai ( Boksit tajlandez). Kampioni nuk ja bëri të gjatë, por e kapi për leckash hajdutin e parë dhe e hodhi nga dritarja e katit të dytë. Hajduti tjetër u largua me vrap dhe ndihmoi shokun, që me zor ecte, të hipte në makinën, me të cilën do të kryenin vjedhjen.

Kampioni nuk i ndoqi, sepse druhej se në inat e sipër mund t’i vriste fare dy hajdutët. Ai njoftoi karabinierinë për tentativë vjedhje duke u dhënë edhe targën e makinës. Dy hajdutët e pafat janë identifikuar nga karabinierët dhe po punohet për kapjen e tyre.

/gje. th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/