Është prezantuar sot në 12 shkurt programi për konkursin ndërkombëtar të Kampusit të Drejtësisë, një pol i ri urban i godinave të sistemit të drejtësisë, për mbështetjen e mëtejshme të pushtetit gjyqësor.

Përpara se të shpallet konkursi, u mbajt edhe dëgjesa e fundit me përfaqësuesit e gjyqësorit.

Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari, në fjalën e tij deklaroi se Kampusi i Drejtësisë është sipërmarrja më e sofistikuar arkitekturore dhe inxhinierike e realizuar ndonjëherë.

“Vendi ynë ka nevojë për gjykata me kapacitete bashkëkohore. Kampusi i Drejtësisë është sipërmarrja më e sofistikuar arkitekturore e realizuar ndonjëherë. Shqiptarët sot meritojnë drejtësi. Sot ne kemi nevojë për një drejtësi më të shpejtë dhe më humane, që funksionon me standarde demokratike e me transparencë. Kampusi i Drejtësisë është një hap drejt rritjes së efikasitetit, është mesazh se ne vazhdojmë që të mbështesim sistemin gjyqësor. Një drejtësi moderne kërkon mjedis modern. Bashkë me ambientet e reja, drejtësia është për Shqipërinë që duam të lëmë pas. Duam një Shqipëri ku institucionet të jenë të forta dhe të drejta. Ne duam të vendosim drejtësinë në standardin e vendeve europiane”, tha ai.

Adea Pirdeni, ministre për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin u shpreh se Shqipëria po modernizon infastrukturën e drejtësisë, në përputhje me standardet europiane që kërkon BE-ja.

“Ne jemi në një rrugëtim shumë të rëndësishëm për t’u integruar në Bashkimin Europian. Komisioni Europian ka lavdëruar Shqipërinë, për standardet për sallat e gjyqit, standardeve sa i përket infrastrukturës teknologjike, aq të nevojshme për drejtësinë. Ndryshimet në drejtësi janë të prekshme. Shqipëria po modernizon infastrukturën. Gjykata e Apelit ka nevojë për mjedise më të mira nga se janë. Plani i Rritjes i BE-së vazhdon që të japë para për Shqipërinë, sepse vendi ynë ka dhënë kontribute në modernizimin e një sërë sektorësh. Brenda 2027 do të ngremë drejtësinë digjitale. Ne punojmë si një trup i vetëm përpara Brukselit, që standardet që përmbushen të jenë në përputhje me ato që kërkon BE-ja. Ne duam që reforma në drejtësi të jetë në tjetër stad, që drejtësia të jepet në funksion të qytetarëve”, deklaroi Pirdeni.

Kampusi i Ri i Drejtësisë pritet që të jetë një godinë e re për gjykatat dhe prokurorirë në vendin tonë.