6780 bimë kanabis janë asgjësuar sot nga policia e Lezhës dhe Kurbinit, në Fushë-Milot dhe Malin e Velës ndërsa kanë sekuestruar armë e municione. Në kuadër të operacionit të koduar “WEED”, është vënë në pranga shtetasi Zenel Lika, 57 vjeç, banues në Kurbin.
Sipas të dhënave në Fushë-Milot janë gjetur dy parcela të kultivuara me 3000 bimë të dyshuara narkotike të cilat varionin nga 30-50 cm lartësi.
57-vjeçari Lika gjatë kontrollit të policisë është kapur në flagrancë teksa kultivonte bimët narkotike. Atij i është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri model 56.
Lika akuzohet për veprat penale “Kultivim të bimëve narkotike” si dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Në afërsi me këto dy parcela, në një ullishte janë gjetur dhe 2220 bimë narkotike lartësia e të cilave varionte nga 30-50 cm si dhe 1360 bime narkotike te vendosura në kubikë, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Gjithashtu gjatë kontrollit në afërsi të parcelës të këtyre ullishteve, u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale:
1 armë zjarri PMSH
1 krëhër me 16 fishekë arme zjarri
20 fishekë arme gjahu
520 gram lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa.
Nga veprimet hetimore rezultoi se kjo tokë ullishte ishte në pronësi të shtetasit:
Halit Selmani, banues në Kurbin, i cili u shpall në kërkim për veprat penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, “Kultivim të bimëve narkotike”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Gjithashtu në vijim të operacionit në Malin e Velës në Lezhë janë gjetur dhe asgjësuar me anë të djegies 200 bimë të dyshuara narkotike.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin dhe Lezhë për veprime të mëtejshme.





