DURRËS– Policia kufitare e portit të Durrësit sekuestroi mbrëmjen e djeshme një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike, të llojit kanabis sativa. Burime nga policia bëjnë të ditur se rreth  256 kg e 400 gr  kanabis u gjetën në një kamion, para imbarkimit në traget. Mendohet se droga kishte destinacion shtetin fqinj, Italinë(Ankona). Policia ndaloi drejtuesin e mjetit, shtetasin Agim  Ajazaj, 53 vjeç banues në Koplik  Malësi e Madhe Shkodër.

Arrestimi i tij u bë pasi  mbrëmë rreth orës 18.00, gjate kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit  Kufitar të Portit të Durrësit në automjetin e tij kamion i markës Benz Mercedes me targa SH 8681 D, në pjesën fundore të karrocerisë u konstatua një dhomë e vogël e improvizuar, brenda së cilës u gjetën 250 pako me lëndë narkotike që dyshohet si Kanabis Sativa.

Nga peshimi i lëndës rezultoi se në total ishin 256 kg e 400 gr masë bimore.
Me kryerjen e veprimeve proceduriale në cilësinë e provës materiale u sekuestrua:

-lënda narkotike
-kamioni
-2  aparate telefonikë celularë
-3 karta SIM
-1450 Euro
-4000 lekë të rinj

Ndërkohë vijojnë hetimet për të zbuluar prejardhjen e drogës apo persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik.