Pas deklaratave të Kryeministrit se qeveria shqiptare është duke parë krijimin e një drafti për legalizimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore, për herë të parë ka folur mbi këtë çështje edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.

I pyetur nga gazetari Spartak Koka në “Opinion” lidhur me këtë propozim dhe angazhimin e ekspertëve të Ministrisë së Brendshme në hartimin e këtij drafti, Lleshaj tha:

“Duke qenë se bëhet fjalë për një projekt mjekësor Ministria e Brendshme nuk është përfshirë ende në këtë proces. Sepse ende jemi në një fazë të hershme të procesit, sigurisht do i merret mendimi sepse përveçse mjekësor, një projekt i tillë sigurisht ka dhe elementë sigurie. Dhe vëtëm kur të bëhet bashkë elementi mjekësor dhe elementi i sigurisë, atëherë do të jetë i pjekur projekti për t’u diskutuar ”.

Fevziu: Personalisht jeni në favor të këtij projekti?

Lleshaj: Unë nuk mund të shprehem as në favor as në disfavor të një projekti të paartikuluar.

Fevziu: A e kontrollon dot policia e shtetit?

Lleshaj: Sigurisht e kontrollon, sepse derisa kontrollon dhe jep garanci për kontrollin e përhapjes ilegale, përhapjen legale e ka të thjeshtë.