Dy vendet fqinje, Greqia dhe Italia kanë dhënë alarmin në lidhje me sasinë e drogës që niset nga Shqipëria.
Roja bregdetare italiane, (Guardia di Finanzia) publikoi Raportin Vjetor 2016, ku bëhet një bilanc i operacioneve në hapësirën detare mes Shqipërisë dhe Italisë në luftën ndaj trafikut të narkotikëve.
Sipas raportit, gjatë operacioneve nga ajri dhe në det gjatë vitit 2016 janë bllokuar nga forca aeronavale e “Guardia di Finanza” rreth 32,8 ton kanabis. Raporti vlerëson se rreth 1900 persona janë arrestuar gjatë operacioneve të rojës bregdetare italiane.
“Për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, i rëndësishëm është bashkëpunimi me Shqipërinë”, vlerëson raporti. Ky bashkëpunim sipas autoriteteve italiane, ka nisur nga viti 1997, me marrëveshjen mes Ministrive të Brendshme të të dy vendeve dhe përmes krijimit te një bërthame Kufitare Detare në dy reparte të bazuar në Durrës dhe Vlorë.
Ndërkohë policia greke ka njoftuar se brenda një viti, në të gjithë vendin ka sekuestruar sasinë rekord prej gati 13 ton kanabis.
Sipas raportit përfundimtar të Antidrogës greke, që prej shkurtit të vitit 2016 e deri në shkurt të këtij viti, autoritetet greke kanë sekuestruar sasinë e kanabisit të përpunuar dhe paketuar në operacione të ndryshme të kryera gjatë një viti.
Vlen të përmendet se, pothuajse e gjithë sasia e kanabisit të përpunuar e kapur prej Antidrogës e ka origjinën nga Shqipëria, ndërsa kultivuesve vendas të drogës iu gjetën dhe sekuestruan 55.470 rrënjë kanabis./Tiranapost.al





