Një video virale ku dy lojtarë hokeji përfshihen papritmas në një përleshje po qarkullon në internet dhe reagimi i familjes së njërit prej lojtarëve ka marrë komente të ndryshme. Lojtari që mban fanellën me mbiemrin “Xhekaj” kuptohet që ka origjinë shqiptare. Florian Xhekaj, 21 vjeç, është lojtar profesionist hokeji që luan si sulmues për Montreal Canadiens në NHL, liga më e madhe dhe më e njohur e hokejit mbi akull në botë. Ai është vëllai i vogël i Arbër Xhekajt, që gjithashtu është lojtar hokeji profesionist dhe luan për Montreal Canadiens.

Djemtë janë me origjinë pjesërisht shqiptare, babai i tyre është nga Drenica e Kosovës, kurse nëna me origjinë çeke. Kur kamera drejtohet te portretet e tyre pasi i biri godet kundërshtarin, mamaja duket shumë serioze, gati në zemërim, kurse babai fsheh emocionin dhe buzëqeshjen e madhe kur sheh se po fokusohet prej kamerës. Kjo, nuk u shpëtoi as komentuesve:

“Tipike reagimi i mamit dhe i babit,” tha dikush. “Babi Xhekaj duket i lumtur, mami jo dhe aq”, shtoi dikush tjetër duke qeshur. Një tjetër komentues përshkroi gjithë skenën me pasion: “Kamera zhvendoset te familja Xhekaj në tribunë teksa Floriani fillon të përleshet. Nëna ka fytyrë serioze, babai nuk mund të kontrollohet, ngrihet i entuziazmuar… por shpejt merr veten pas një shikimi të shpejtë nga nëna… motra e vogël përpiqet të fshehë buzëqeshjen pas dorës… dhe vëllai i madh buzëqesh nga veshi në vesh, mbështetet mbi pankinë, godet shkopin mbi bord dhe çmendet. Zot i madh, e dua këtë familje, me vlera të sinqerta dhe mbështetje të vazhdueshme. Ndeshje e shkëlqyer, guximi dhe vendosmëria e familjes Xhekaj ishte një faktor në suksesin e ekipit mbrëmë. Përfshirja 100% sjell motivim për të gjithë ekipin! Faleminderit! Ky është hokeji”.