TORONTO, 9 qershor 2013 –Sopranoja shqiptare dhe pedagoge e kantos në Ontario, Kanada, do të marrë pjesë në një koncert me repertor të kompozitorit italian Xhuzepe (Giuseppe) Verdi (10 tetor1813-27 janar 1901).
Sikurse bën të ditur shtypi kanadez, Orkestra simfonike e Kembrixhit (Cambridge Symphony Orchestra) e Ontarios në Kanada do të organizojë, më 14 qershor 2013, koncertin e titulluar “Viva Verdi”, në kuadrin e përkujtimit të 200-vjetorit të lindjes së gjeniut.
Në këtë shfaqje do të këndojë tenori kanadez me famë botërore Riçard (Richard) Margison, i cili më 15 korrik mbush 60 vjeç.
Së bashku me të do të interpretojnë sopranoja e njohur shqiptare Mirela Tafaj dhe baritoni me origjinë rumune Nicolai Raiciu.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





