Kancelari gjerman Friedrich Merz pritet të mbërrijë në Shtëpinë e Bardhë në orët në vijim për një takim me Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Ky do të jetë takimi i parë i presidentit të SHBA-së me një udhëheqës të huaj që nga fillimi i sulmeve ushtarake ndaj Iranit.
Vizita ishte planifikuar dhe njoftuar para fillimit të operacioneve ushtarake, megjithatë, të dy udhëheqësit do të përqendrohen në interesat e tyre në Lindjen e Mesme, ndërsa konfliktet përshkallëzohen.
Gjermania nuk e ka mbështetur operacionin ushtarakisht, por së bashku me Francën dhe Britaninë, u ka bërë thirrje udhëheqësve të Iranit të ndalojnë sulmet hakmarrëse.
Në një deklaratë të përbashkët të dielën, të tre vendet theksuan se do të merrnin masa për të mbrojtur interesat e tyre dhe ato të aleatëve në rajon. Ndërkohë nga ana tjetër, Trump shpreson që Gjermania do t’i ndërmarrë këto veprime dhe të dy udhëheqësit pothuajse me siguri do të diskutojnë të ardhmen e Iranit.





