DURRËS, 25 tetor 2014 – Deputetët më të parapëlqyer në përdorimin publik për z. Lulzim Basha (me shtetësi të dyfishtë – shqiptare dhe holandeze) janë ata të Durrësit, duke përjashtuar z. Igli Cara, sikurse ka ndodhur, pas Strazimirit, Halimit etj., me znj. Albanë Vokshi edhe në një rast delikat sikurse është fushata sensibilizuese për kancerin e gjirit.
E zhdukur nga Durrësi, ku është përfaqësuese në organin ligjvënës, znj. Albanë Vokshi ka zbuluar se projeksioni në fasadën qendrore të Kryeministrisë “duke nxjerrë gratë në dritaret e godinës qeveritare”, është “pak a shumë si një plagjiaturë “Red Light” në Amsterdam”.
Madje është kaq e dashuruar me qytetin ku ka shtëpinë e dytë shefi i opozitës, saqë znj. Vokshi e përsërit krahasimin për “lagjen “kryeministrore”, njëlloj si në Amsterdam”.
Sipas tha deputetes Albanë Vokshi projeksioni në fasadën qendrore të Kryeministrisë:
“është jo vetëm një forme e papranueshme e propagandës qeveritare, por ajo synon të heqë vëmendjen nga dështimi me shëndetësinë falas në përgjithësi dhe me braktisjen e grave që vuajnë nga kanceri i gjirit në veçanti.
Çdo vit në Shqipëri 250 gra humbin jetën nga kanceri i gjirit. Qeveria nuk ka planifikuar asnjë lek për kujdesin shëndetësor për gratë. Nga premtimet e gënjeshtërta për shëndetësinë falas, Kryeministri vjen me buxhetin e shtuar të reklamave, duke nxjerrë gratë në dritaret e godinës qeveritare, pak a shumë si një plagjiaturë “Red Light” në Amsterdam”.
Kryetarja demokrate e komisionit parlamentar të shëndetësisë tha:
“Kanceri i gjirit prek çdo vit 500 gra në Shqipëri, por gjendja në spitale është përkeqësuar dhe përkujdesja shëndetësore është në nivele dramatike.
Aparaturat e mamografisë mungojnë në shumë qytete të Shqipërisë. Gratë në fshat nuk kanë asnjë mbështetje nga autoritetet shëndetësore për t’iu mundësuar vizitën e mamografisë. Në pavionin e onkologjisë mungojnë medikamentet dhe njerëzit vdesin në radhë për kimioterapinë. Kjo është gjendja e shëndetësisë, ky është bilanci i Edi Ramës me këtë fenomen tronditës. Ndaj, është turpëruese kur sheh Kryeministrin e vendit tënd që paguan mijëra euro për të dhunuar gruan duke e trajtuar si objekt, në lagjen “kryeministrore”, njëlloj si në Amsterdam, dhe nuk paguan asnjë qindarkë për t’u mundësuar një jetë dinjitoze grave të prekura nga kanceri i gjirit. Kjo sjellje fyese e Kryeministrit, është një tjetër dëshmi se ku shkon buxheti për shëndetin e grave”.
Znj. Vokshi nuk u ka bërë asnjë thirrje grave të Durrësit të shkojnë të kryejnë mamografi në spitalin publik.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





