Maji është muaji i ndërgjegjësimit ndaj Melanomës, kancerit të lëkurës i cili karakterizohet nga vdekshmëria e lartë dhe agresiviteti.

Në stinën e pranverës, rrezatimi diellor në vendin tonë është i fortë ndaj mbrojtja duhet të jetë më e lartë dhe kontrolli i nishaneve i shpeshtë për të shmangur këtë sëmundje.

Dermatologia Xhiliola Doçi thotë se kanceri i lëkurës renditet i 5 te meshkujt dhe i 6 te femrat përsa i përket shpeshtësisë së shfaqjes ndërsa përmend edhe personat që janë më të rrezikuar.

Mbrojtja nga rrezatimi diellor duhet të jetë në çdo stinë, por sidomos në këtë periudhë lëkura kërkon më shumë vëmendje nga ne.

Mjekja dermatologe këshillon që mbrojtja të bëhet përmes kremrave solarë, të cilët duhen përzgjedhur me kujdes në varësi të numrit SPF, i cili duhet riaplikuar çdo 2 orë, si dhe përmes veshjeve të holla me mëngë të gjata, mbajtja e kapeles apo syzeve.

Sipas saj, kujdes të veçantë duhet të tregojnë personat që kanë numër të lartë të nishaneve, ngjyrë të bardhë të lëkurës apo histori për problematikën e kancerit të lëkurës.

“Këta persona duhet të vetëekzaminohen në shtëpi apo të bëjnë kontrolle të shpeshta te mjeku për të parë nëse ka nishane të reja nëpër trup apo ndryshimet që pësojnë nishanet”, shprehet mjekja dermatologe ndërsa liston tiparet.

G.D.