Cormac Roth, djali i aktorit anglez, Tim Roth fatkeqësisht ka ndërruar jetë në moshën 25-vjeçare.
Familja e tij njoftoi nëpërmjet një deklarate duke shkruajtur:
“Të dielën, më 16 tetor, ne humbëm djalin tonë, Cormac pas një beteje të guximshme me kancerin. Ai vdiq i qetë në krahët e familjes së tij që e donin dhe e adhuronin. Ai luftoi me një guxim të jashtëzakonshëm vitin e kaluar dhe e ruajti zgjuarsinë dhe humorin e tij deri në fund. Një shpirt i butë që solli kaq shumë lumturi dhe shpresë për ata që e rrethonin. Hidhërimi rritet kur mendojmë për atë djalë të bukur që njohëm gjatë këtyre 25 viteve e 10 muajve”.
Cormac u diplomua në Kolegjin Bennington në Vermont dhe ishte një muzikant jashtëzakonisht i talentuar. Në një postim në Instagram në muajin korrik, Cormac njoftoi se ishte diagnostikuar me kancer të fazës së tretë në nëntor të vitit 2021.
Ai shkroi në rrjetin e tij social Instagram:
“Më ka hequr gjysmën e dëgjimit, 60 kilogramë peshë, besimin tim dhe do të vazhdojë rrugën e tij vrastare, derisa unë të arrij ta ndaloj disi. Por, nuk më ka hequr vullnetin për të mbijetuar, apo dashurinë për të bërë muzikë. Nuk ma ka hequr ende.”