Kanceri i pankreasit konsiderohet një nga format më agresive të kancerit, kryesisht pasi simptomat shpesh shfaqen vetëm kur sëmundja është në faza të avancuara, sipas “Il Messaggero”.

Kjo e bën diagnostikimin e hershëm shumë të vështirë dhe ul mundësitë e trajtimit efektiv.

Sipas onkologut italian, Massimo Di Maio, president i zgjedhur i Shoqatës Italiane të Onkologjisë Mjekësore – (organizata kryesore profesionale në Itali që bashkon mjekët onkologë dhe specialistët e trajtimit të kancerit, dhe merret me kërkime shkencore, udhëzime klinike dhe politika shëndetësore në fushën e onkologjisë) – disa nga faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e kancerit të pankreasit janë pirja e duhanit, obeziteti dhe mungesa e aktivitetit fizik.

Ai shtoi se rrezikun mund ta rrisin gjithashtu konsumi i alkoolit, dieta e pasur me yndyrna të ngopura dhe konsumimi i ulët i frutave dhe perimeve të freskëta.

Sipas specialistëve, kjo sëmundje prek burrat dhe gratë në mënyrë të barabartë, ndërsa shfaqet më shpesh pas moshës 60 vjeç.

Megjithatë, ka edhe raste tek persona më të rinj, madje edhe nën moshën 50 vjeç, ndonëse këto janë relativisht të rralla.

Onkologu Massimo Falconi, drejtues i Njësisë së Kirurgjisë së Pankreasit në Spitalin Kërkimor Shkencor “San Raffaele” (IRCCS), në Milano dhe profesor në Universitetin “Vita-Salute San Raffaele” shpjegoi se ndër simptomat më të zakonshme janë:

• dhimbje në bark ose në shpinë

• humbja e peshës pa arsye të qartë

• mungesa e oreksit

• verdhëza e lëkurës dhe e syve

Ekspertët theksojnë se, megjithëse ky tumor mbetet ndër më të rrezikshmit, përparimet në diagnostikim dhe trajtim po rrisin gradualisht shanset e mbijetesës për pacientët në vitet e fundit.