Çdo vit në Shqipëri diagnostikohen mesatarisht 100 raste me kancer të qafës së mitrës, një sëmundje që është jetëkërcënuese nëse nuk kapet në kohë. Nisur nga fakti që ky kancer është më i përhapur në moshat e reja dhe ka pikun e tij para moshës 50 vjeç, eskpertët kanë ulur pragun e depistimit nga 40 në 35 vjeç, duke ju dhënë mundësinë grave ta kapin herët dhe ta trajtojnë.

Zgjerimi i fashës është vetëm njëra anë e medaljes, pasi ana tjetër është testi depistues, i cili do të ndryshojë.

“Besoj brenda vjeshtës do të jemi në gjendje të ofrojmë një test më të përshtatshëm si për klinicistët që do të vendosin diagnoza ose që do të merren me ekzaminime të mëtejshme për trajtimin e lezioneve parakanceroze, ashtu edhe për gratë të cilat do të mund të shmangin një barrë shtesë ekzaminimi për llojin e nëngrupit. Bëhet fjalë për genotipizimin e mëtejshëm në momentin e depistimit për të identifikuar disa grupe në risk shumë të lartë, siç është grupi 18 dhe 16, të cilat janë të nevojshëm në algoritmet që përdorin klinicistët për kolposkopinë apo edhe për trajtimin e lezioneve prekanceroze”, thotë Alban Ylli, drejtues i programit kombëtar të depistimit të HPV, ISHP.

Gratë që mbushim moshën 35 vjeç këtë vit do të njoftohen me mesazhe për mundësinë e testimit për kancerin në qafën e mitrës. Nga ana tjetër, për të parandaluar këtë sëmundje, që prej janarit, veç vajzave, ka nisur edhe vaksinimi i djemve 13-vjeçarë kundër HPV, një ndër shkaktarët e sëmundjes.