Vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Porto-Romano të Durrësit vazhdon të jetë një nga ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në qytetin bregdetar.

Nga djegia në natyrë e mbetjeve emetohen lëndë toksike tepër të dëmshme për shëndetin e banorëve dhe ekosistemin.

Kjo situatë e rëndë ekologjike po ua bën akoma dhe më të vështirë jetën banorëve të Porto Romanos, dhe jo vetëm atyre. Ish-zona industriale e Durrësit tashmë po vuan pasojat e një industrializimi të ri dhe pafuqishmërisë së institucioneve për të menaxhuar këtë territor.

Çdo ditë të vitit, ngrihen tymnaja të djegies së plehrave të qytetit, që ndot mjedisin në këtë zonë dhe po ashtu ajri i ndotur qarkullon në të gjithë qytetin.

Pothuajse asnjë prej projekteve madhore për rehabilitimin e zonën së Porto-Romanos nuk është realizuar, apo nuk është realizuar siç duhet. Asgjë nuk është bërë për ndërtimin e një Landfilli për përpunimin e plehrave të qytetit bregdetar. Po ashtu, asgjë nuk është bërë për monitorimin e pasojave afatgjata të ndotjeve në popullsinë e kësaj zone (me përjashtim të një studimi të pjesshëm vite më parë që nxori probleme serioze të shëndetit të popullatës), asgjë nuk është bërë në lidhje me kontrollin e mbetjeve që lëshojnë kompanitë apo fabrikat që operojnë në këtë zonë.

Ndotja në Durrës është disa herë më e lartë sesa shifrat e lejuara, dhe ai përbën shkaktarin kryesor për sëmundje të ndryshme kancerogjene, problemet me frymëmarrjen dhe përhapjen e epidemive të ndryshme.

Shpesh, banorët e Porto-Romanos nuk kursehen të tregojnë se djegia e mbeturinave po i helmon çdo ditë. Rasti më i fundit është denoncuar sot në redaksinë e “DurrësLajm”. Njëri prej tyre na ka dërguar këto pamje, të filmuara mëngjesin e sotëm. Ai thotë që kjo tymnajë e përditshme po i vret durrsakët çdo ditë e më shumë…