Mjeku Ilir Alimehmeti, kandidati për drejtimin e Tiranës në procesin e Primareve, ka listuar pikat e tij të forta përballë kryebashkiakut aktual, Erion Veliajt.

I ftuar në emisionin “Debat”, tha se sfidën e parë, atë të menaxhimit, e kaloi me sukses gjatë pandemisë së koronavirusit dhe ka dalë me sukses në shërbimin ndaj komunitetit, ndërsa tani kryeqytetit, sipas tij, i duhet një figurë të ndershme dhe pa konflikte interesi.

Ndër të tjera, Veliaj ka shtuar se ka një pikë tjetër të fortë ndaj kryebashkiakut Veliaj, pasi shtoi se ai vetë garon pa konflikt interesi dhe me ndershmëri.

“Veliaj ka garuar, është provuar, është testuar, është parë që ka çaluar, për të mos thënë që është rrëzuar fare. Prova ime ka qenë gjatë pandemisë. Besoj e keni shumë të qartë mungesën time të interesit, papërfshirjen time në babëzinë ekonomike që përfshiu botën, nuk përfshiu vetëm Shqipërinë, papërfshirja në diskutime të tjera që mund të çonin drejt konfliktit publik, edhe pse mund të mos ishin përfitime ekonomike dhe qëndrimi për t’i dhënë shërbimin qytetarit.

Pra, në mjekësinë komunitare shihet komuniteti si individ, nuk më ndryshon asgjë në këtë koncept sepse bëhet fjalë për të njëjtën gjë, për publikun, për komunitetin. Sot është në momentin që e kemi parë se çfarë ka ndodhur në 8 vite. E kemi parë shumë mirë efektin shkatërrues dhe është dëshpërues sepse na kanë ikur njerëzit. Pse po largohen njerëzit? Për shkak të situatave që janë krijuar këtu. Nuk ikën njeri se është i lumtur, por ikën sepse është i dëshpëruar,”- tha Alimehmeti.