DURRES, 11 qershor 2013 – Ekipi durrsak i Rilindjes ka zhvilluar një takim entuziast në një shesh të tejmbushur me banorët e zonës së ish kënetës në Durrës.

Në takim merrnin pjesë edhe kryebashkiaku i Durrësit dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë së PSSH Vangjush Dako si dhe kryetari i PS të qytetit të Durrësit Alfred Mullaraj.

Në këtë takim ka përshëndetur kryebashkiaku Vangjush Dako i cili ka deklaruar se Bashkia e Durrësit është hasur me bllokimin total të qeverisë që e pengon në çdo çast në punën e saj.

Kryebashkiaku Dako deklaroi se pas 23 qershorit edhe Durrësi ashtu si gjithë Shqipëria do të rilindë dhe situata e rëndë financiare e Bashkisë së Durrësit do të marrë fund.

Bashkia e Durrësit- shtoi më tej Dako- me çlirimin nga kjo situatë bllokuese pas 23 qershorit do të kryejë një sërë investimesh të rëndësishme edhe në këtë zonë.

Në lidhje me një tjetër process të rëndësishëm për këtë zonë sic është legalizimi kryebashkiaku Dako deklaroi:

“Legalizimi i banesave tuaja është një proces mjaft i rëndësishëm por qeveria aktuale ka dështuar ashtu si në të gjitha fushat edhe në këtë proces. Ndërkohë ne si PS kemi marrë një zotim që brenda dy viteve të para të mandatit të qeverisë me Edi Ramën kryeministër do të përfundojë plotësisht procesi i legalizimeve. Gjithashtu personalisht kam hedhur një ide që po shqyrtohet nga PS sipas së cilës legalizimi i banesave në zonat informale në trojet ku nuk ka biznese por vetëm një banesë të jetë me kosto zero, pra konkretisht legalizimi i banesave në zona të tilla si në zonën tuaj të ish kënetës të kushtojë zero lekë.”

Dako deklaroi se në 23 qershor vjen një epokë e re që është epoka e Edi Ramës dhe e Rilindjes së vendit.

Në fjalën e saj deputetja Spahiu ka theksuar se vetëm me votën për Edi Ramën kryeministër dhe për programin e Rilindjes vendi do të rimëkmëbet dhe ekonomia do të rilindë.

Deputetja Klodiana Spahiu deklaroi se të gjithë bashkë duhet të votojmë në 23 qershor për PS dhe numrin 29 për të ardhmen e Durrësit dhe të gjithë vendit dhe për tu shkëputur njëherë e mirë nga kjo qeveri që ka rrënuar shqiptarët. 

Banorët e zonës së ish kënetës me thirrjet e tyre entuziaste kanë shprehur bindjen në fitoren e thellë të së majtës në 23 qershor ditë në të cilën do të nisë edhe rilindja e vendit me qeverinë socialiste me Edi Ramën kryemnistër.