DURRES, 16 qershor 2013 – Kandidatët për deputetë Eduard Halimi, Igli Cara, Oerd Bylykbashi, Kseanela Myderrizi, Arian Dedej dhe Mirlinda Çeka kanë takuar të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në një festë të organizuar në qiell të hapur, pranë murit të kalasë në qytet.
Kandidatët janë përshëndetur me të rinjtë, duke marrë edhe urime, kurse kandidatët nga ana e tyre ju kanë thënë të rinjve, se energjia e tyre do të jetë faktori që do të sjellë fitoren e madhe të 23 qershorit për Partinë Demokratike.
Të rinjtë kishin improvizuar një vend të posaçëm pranë murit të kalasë, një prej simboleve të qytetit të lashtë të Durrësit, ku rreth orës 21:00 të së shtunës nisi të dëgjohej muzika ritmike rinore, por pa harruar edhe këngët hit të fushatës së Partisë Demokratike.
Kandidati dhe ministri i drejtësisë Eduard Halimi i përshëndeti të rinjtë.
“Ne do të fitojmë, ne do të marrim edhe mandatin e tetë në Durrës, – tha Eduard Halimi. – Durrësi është blu, ai është pjesë e uraganit blu të fitores. Ne do të fitojmë sepse energjia juaj do të jetë faktori kryesor përcaktues më 23 qershor.”
Forumi Rinor i Partisë Demokratike është bërë pjesë e rëndësishme e fushatës. Muajt e fundit, anëtarësimet e reja e kanë çuar numrin e përgjithshëm të anëtarëve në rreth 3 mijë vetë, ku thuajse 2 mijë të rinj janë banues në Durrës.





