Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të së dielës për kryetarët e komunave në veriun e Kosovës, nxorën Listën Serbe, fituese në në katër komunat, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç e Zveçan.
Lista Serbe, subjekti politik i themeluar dhe mbështetur nga Beogradi, u përball ne këto zgjedhje me kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në votime morën pjesë 24 mijë e 600 votues nga rreth 58 mijë të regjistruar, mbi 42% e tyre. Sipas komisionit, procesi ishte i rregullt dhe pa ndonjë vështirësi që mund ta dëmtonte atë.
Votimet u ndoqën nga 464 vëzhgues vendas e ndërkombëtarë, përfshirë edhe ata të Bashkimit Evropian dhe 12 ambasadave të huaja si dhe Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.
Koalicioni i organizatave joqeveritare, “Demokracia ne Veprim”, konstatoi disa parregullsi, siç janë votimi familjar, votimi jashtë kabinave në vendvotime, përpjekje për të votuar më shumë se njëherë etj.
Në veriun e Kosovës Lista serbe dhe mbështetësit e saj kremtua fitoren, ndërsa atyre u është drejtuar përmes telefonit edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke vlerësuar se zgjedhjet e së dielës ishin “konfirmimi më i mirë për unitetin politik të serbëve rreth interesave kombëtare dhe shtetërore të Serbisë”.
Udhëheqësit politik të Kosovës ndërkaq vunë theksin te procesi i rregullt i zgjedhjeve. Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike tha:
“Me këto zgjedhje u konfirmua sovraniteti institucional dhe territorial i Republikës së Kosovës. Do të punojmë bashkë, edhe më shumë, për ta përmirësuar jetën e secilit, në Mitrovicë, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, e në tërë Kosovën”.
Të katër komunat, janë pa kryetarë që nga 27 nëntori i vitit të kaluar, kur ish-kryetarët dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifë 100% ndaj mallrave serbe.
Tarif është vënë më 21 nëntor nga qeveria e Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe serbëve të Kosovës.
Vendosja e tarifës bllokoi edhe procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, meqë Beogradi kushtëzon rifillimin e tyre me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e Kosovës refuzoi të heqë dorë prej tyre me gjithë trysninë nga Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara.