Në kuadër të fushatës elektorale, kandidatët e Partisë Socialiste zhvilluan takime me banorët e njësive administrative Ishëm dhe Manzës.
Këto dy njësi administrative kanë qenë më të goditurat nga tërmeti i 26 nëtorit 2019 dhe duke parë zbatimin e projekteve në terren si dhe akordimin e fondeve, në pranverën e vitit të ardhshëm të gjithë banorët pritet të jenë futur në shtëpitë e reja.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako tha para banorëve të Ishmit se “ka nisur puna në 200 shtëpitë që po ndërtohen nga e para dhe kemi edhe 100 të tjera që do të fillojnë shumë shpejt, dhe këtu unë dua të garantoj të gjithë ata banorë që janë të pastrehë për momentin, se atyre do vazhdojë t’u jepet bonusi i qirasë derisa ata të futen tek shtëpitë e reja.”
Kandidati për deputet Jurgis Çyrbja është shprehur para banorëve se bashkia e Durrësit në bashkëpunim me qeverinë dhe kryeministrin Rama kanë bërë një punë të jashtëzakonshme pas dëmtimeve që pësuan banorët e këtyre njësive nga tërmeti.
Çyrbja ftoi banorët që më 25 prill të votojnë Partinë Socialiste dhe Edi Ramën si kryeministër.