Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në Qarkun Durrës, ju bashkuan aktiviteteve sportive të organizuara nga të rinjtë e FRESSH në qytetin bregdetar. Në fjalën e mbajtur para të rinjve, kryetari i bashkisë Durrës, njëherësh edhe i deleguari i Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit, z. Vangjush Dako, u shpreh se rinia ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në fokus teksa kërkoi angazhimin e të gjithë të rinjve për një fitore sa më të fuqishme në 18 Qershor.

“Nëpërmjet forcës suaj si rini, ju mund të mbështesni Partinë Socialiste, mbështesni Edi Ramën, sepse keni besimin e plotë që ai dhe Partia Socialiste mund të bëjnë më të mirën për Shqipërinë që duam, mund të kemi mirëqenie, do të kemi punësim dhe do të kemi atë që kërkojnë të gjithë, shtet”,u shpreh kryebashkiaku.

Dako, i cilësoi të rinjtë e FRESSH në Durrës, si energjia e fushatës elektorale të Partisë Socialiste. “Të jeni të sigurtë që është në fokusin tonë kryesor, një nga objektivat, prioritetet e qeverisjes tonë është mundësia, hapësira që do ti krijojmë të gjithë të rinjve për të patur një jetë të sigurtë dhe të qëndrueshme në Shqipëri. Truri jonë, rinia jonë, qoftë ajo intelektuale, qoftë ajo e aftë për punë duhet të japë kontributin e vet këtu në vendin tonë, ti shërbejmë atdheut tonë për të krijuar atë Shqipëri që duam për të bërë më të mirën për brezat dhe gjeneratat e ardhme”, deklaroi z. Dako.

Ndërkohë, kandidatja e PS-së në qarkun e Durrësit, njëherësh edhe Ministre e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, znj. Milva Ekonomi theksoi para të rinjve se do t’ja dalim për të bërë Shqipërinë që duan për të bërë më shumë shtet, për të pasur më shumë mirëqenie dhe për të sjellë më shumë punë.

“Për ju ka shumë nevojë të tregoni dije, talentin dhe të bashkëpunoni dhe me të rinj të tjerë që vijnë nga Ballkani. Është shumë e rëndësishme që ju të bëheni pjesë e programeve dhe projekteve rinore kombëtare e ndërkombëtare, mos harroni asnjëherë, që Shqipëria mund të bëhet një vend edhe më i mirë në qoftë se bashkëpunoni me vende të tjera ballkanike. Ne do t’ja dalim për të bërë Shqipërinë që duan për të bërë më shumë shtet, për të pasur më shumë mirëqenie dhe për të sjellë më shumë punë”,deklaroi znj. Ekonomi.

“Për mendimin tim edhe të gjithë skuadrës së deputetëve të Durrësit rinia është një forcë shumë e madhe. Nuk është thjesht një slogan por pa ju nuk ecet për para. Janë energjitë ato që ne do të na bëjnë të jemi fitues”,nënvizoi kandidati për deputet z. Fidel Ylli.

Në fund të aktivitetit u shpërndanë disa certifikata vlerësimi për punën e bërë ndër vite nga ish-drejtuesit e FRESSH Durrës.