Nga Gertjana Daçi

Impenjimi në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, nuk i ka penguar aspak kandidatët për deputetë të qarkut të Durrësit të agjërojnë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Bëhet fjalë për kandidatët e “Aleancës për Ndryshim”, Florian Tahiri nga radhët e PDIU-së i renditur i 10-ti në listë si dhe kandidatin e PD-së për Shijakun, Agim Baçi, i cili garon me numrin 11.

Në një intervistë për “DurrësLajm” Tahiri dhe Baçi tregojnë lidhjen dhe ndikimin e fesë myslimane,  mbi agjërimin në kohë fushatë dhe qetësinë shpirtërore që kanë gjetur në Islam.

Të dy janë praktikantë të devotshëm të fesë prej vitesh dhe ndërsa kandidati Baçi ka vazhduar traditën familjare në përqafimin e Islamit, marrja e një vendimi të tillë nga Tahiri, për të afërmit e tij ishte e papritur, duke qenë se sapo ishte kthyer nga Suedia ku kishte mbaruar studimet e larta.

Si për ish-nënkryetarin e bashkisë edhe për gazetarin Baçi, ndikim në formimin e kësaj bindjeje kanë qenë librat.

Urë lidhëse mes Islamit dhe Tahirit ishte kushëriri i këtij të fundit, i cili i ka dhuruar librin e shenjtë dhe ndërsa shfletonte faqet e Kuranit, formohej rruga e tij drejt fesë.

Por teksa Tahiri ka hasur kundërshtimin e prindërve në fillimet e tij, pasi e shikonin si prapambetje udhëzimin në Islam, Baçi kujton përqafimin e të ëmës kur ka ndarë me të vendimin drejt këtij destinacioni, që ai e konsideron të ëmbël për njeriun.

Gjërat do të ndryshonin me kalimin e kohës dhe prindërit e Tahirit do ta tregonin me krenari këtë fakt për të birin, ndonëse për shkak të moshës nuk ndjekin dot të njëjtën rrugë me të. Ndërkohë që ka gjetur mbështetje të plotë nga bashkëshortja që ka ecur në hapat e Tahirit, i cili tregon se në familjen e tij, tashmë iftari pritet me shumë kënaqësi.

Ndërsa Baçi ishte rritur me një atmosferë të tillë, pasi që në kohën e diktaturës, gjyshja dhe e ëma agjëronin, pavarësisht se askohe feja ishte rreptësisht e ndaluar dhe të mbaje Ramazan rrezikoje jetën. Sot, hapat e tij Baçi mundohet t’i përcjellë edhe te fëmijët.

Besimi në Islam ka ndikuar në formimin e tyre, Tahiri shprehet se e ka plotësuar si njeri, ndërsa Baçin e ka ndihmuar të marrë vendimet e duhura.

Fillimi i Ramazanit përkoi me ditët më kulminante të fushatës, ku takimet në terren janë më intensive dhe energjia e kandidatëve duhet të jetë maksimale për të bindur elektoratin që do të jetë i duhuri për ta përfaqësuar në parlament.

Të pyetur për vështirësitë, për kandidatin demokrat e vetmja mungesë është shijimi i kafesë. Puna prej vitesh si gazetar, duket se e ka trajnuar mirë Baçin që të mos ushqehet rregullisht, duke ia bërë më të lehtë agjërimin. Ndërsa për Tahirin, dita e parë ishte disi e vështirë, kurse në vazhdim çdo gjë u bë më e lehtë, pasi siç thekson ai, e lehtëson Zoti, mjafton të kesh besim.

Ashtu si kandidati Tahiri edhe Baçi janë besimtarë të devotshëm dhe falin 5 vaktet e namazit. Kjo nuk i ka penguar aspak të bëjnë jetën që duan, madje iu ka ardhur në ndihmë, si një moment reflektimi.

Por a do të jetë mandati i deputetit në lutjet e kandidatëve?

Për Agim Baçin lutja është më e madhe, që të fitojnë shqiptarët, të kenë dinjitet për atë që do të veprojnë, të mbrojnë votën pasi kjo e fundit është pushteti i tyre.

Rastësia ka bërë që dhe në kohën kur Florian Tahiri u emërua nënkryetar në Bashkinë e Durrësit, zgjedhjet të mbaheshin në periudhë vere kur agjëronte dhe siç shprehet ai, duaja iu pranua. Ndërsa tani, e rëndësishme për Tahirin është të dalë me kokën lart nga zgjedhjet e të dielës së ardhshme.

Në fund të intervistës, kandidatët e opozitës së bashkuar kanë një urim drejtuar jo vetëm besimtarëve myslimanë por të gjithë shqiptarëve të cilët në fundjavë do të vendosin me votë për fatin e të ardhmes.

“Shpresoj shumë që të jetë një muaj reflektimi dhe të zgjedhim gjërat që janë të mira për ne, për Shqipërinë. Të bëjmë më të mirën për një Shqipëri, që të duam të jetojmë këtu, të punojmë këtu, të duam të rrisim fëmijët.”, thekson Baçi.