ITALI– Ka shumë kandidatë. Dhe emrat e kandidatëve për papë lidhen njëkohësisht edhe me spekulime në lidhje me kursin e ardhshëm të Selisë së Shenjtë.
Përsëri dikush nga Evropa e vjetër? Apo braziliani Scherer, kolumbiani Salazar Gomez, apo Turkson nga Gana, për shembull? Ka shumë kandidatë dhe në qarqet e kishës dhe të vëzhguesve emrat e kandidatëve për papë lidhen njëkohësisht edhe me spekulime në lidhje me kursin e ardhshëm të Selisë së Shenjtë.
Shumë kardinalë, si ai i Këlnit, Joachim Meisner, apo ai i Berlinit Rainer Maria Woelki janë të mendimit që papa i ri duhet të jetë rreth 60-70 vjeç, i shkolluar dhe i zgjuar, zemërgjerë dhe poliglot. Rainer Maria Woelki, i cili vetë është 56 vjeç dhe një ndër të rinjtë në kolegjin e kardinalëve thotë se nuk ka problem në rast se papa i ri është ndonjë afrikan apo latinoamerikan.
Po çështja themelore është nëse blloku i 28 italianëve në konklavë, ndoshta në aleancë me spanjollët konservatorë dhe disa francezë, do të zgjedhin sërish si papë një italian – madje një kardinal nga kuria apo kryepeshkop “nga aparati”? Apo nëse do të pranojnë si në vitin 1978 një polak si Vojtila apo si në vitin 2005 një gjermanë si Ratzinger – pra përsëri një papë nga jashtë? A do të kemi përsëri një papë evropian – apo për herë të parë një përfaqësues prej kishave më të reja nga Afrika, Azia, Amerika Latine. Edhe nga këto vende ka përfaqësues të arsimuar mirë, që flasin shumë gjuhë dhe janë të lidhur mirë me rrjete. Një zgjedhje e tillë do të jetë sensacionale! Aq më tepër që Evropa është kontinenti i vetëm ku numri i besimtarëve po bie.
Grupi i fuqishëm italian
Në rrethin e italianëve vjen në konsideratë patriarku i Venecias, sepse në shekullin XX nga Venecia ka pasur tre papë. Kryepeshkopi i tanishëm nuk është ende 60 vjeç dhe për këtë shumë i ri, madje ai nuk është as kardinal. Angelo Scola që kaloi në vitin 2011 nga Venecia në Milano është 71 vjeç, por ka probleme shëndetsore. Kandidat tjetër është Gianfranco Ravasi, “ministri i Kulturës” i Papës. Ai ka dhënë prova në dialogun me mosbesimtarët dhe ateistët, ka gjestikulim dhe shkollim të mirë dhe për këtë arsye e krahasojnë me Vojtilën dhe Ratzingerin ku ishin të rinj. Por, pavarësisht bllokut të madh italian në konkavë – zgjedhja e një italiani nuk është domosdoshmërisht e qartë, sepse peshkopët italianë janë të ndarë në kampe të ndryshme.
Një emër premtues vjen nga Amerika e Veriut, Marc Ouellet, kanadez, 68-vjeç. Ai është prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ipeshkvijtë. Ai mund fitojë votat e hemisferës veriore, sidomos të vendeve anglishtfolëse. Edhe mbështetjen nga Amerika Latine ai do ta ketë të sigurt.
Kardinali Marc Ouellet
Emra të tjerë vijnë nga disa vende të Amerikës Latine. Ndër ta braziliani Odilo Pedro Scherer (63), kryepeshkop i Sao Paulos, i cili dikur ka punuar për vite në Vatikan. Brazili është sot një nga vendet më të rëndësishme “katolike” në mbarë botën dhe ka atmosferë e teologjisë çlirimtare. Kolumbiani Ruben Salazar Gomez (70) ka akumuluar vitet e fundit mjaft reputacion dhe ka arritur në Bogota të ngrejë një rrjet të madh kishtar në kontinentin amerikanojugor.
Një afrikan në Selinë e Shenjtë?
Kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson (64)nga Gana ështl kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë dhe Paqes, dhe gëzon emër të mirë dhe simpati. Ai gjithashtu shkon në misione të vështira. Edhe në qoftë se veprimtaria kryesore e tij nuk është ajo papale, ai vlerësohet lart gjë që ndoshta lidhet me karizmën e tij personale dhe aftësitë e ndryshme gjuhësore, ai di edhe gjermanisht. Turksoni është i vetmi kandidat i rëndësishëm nga Afrika.