Donald Trump, njëri prej kandidatëve për president të SHBA-së, dhe më i spikaturi deri tani për deklarimet e tij polemizuese, e ka mbrojtur sërish idenë e vet për ndalimin e hyrjes së myslimanëve në Amerikë.

“Ne nuk po flasim për izolimin, po flasim për sigurinë. Nuk po flasim për fenë, po flasim për sigurinë. Vendi ynë është jashtë kontrollit”, kanë qenë argumentet e Trump-it, gjatë përballjes së fundit të kandidatëve republikanë.

Pas këtyre deklaratave, ish-guvernatori i Floridës Jeb Bush, është treguar i ashpër duke e quajtur Trump-in një “kandidat kaosi” dhe propozimin e tij aspak serioz. “Ai është një kandidat kaosi, e do të qe një president kaosi”, tha Bush.

Por ndryshe nga Bush, dy kandidatët e tjerë, senatori i Teksasit Ted Cruz dhe ai i Floridës Marco Rubios, kanë deklaruar se e kuptojnë arsyen se pse e ka paraqitur këtë ide Trump.