DURRES, 10 qershor 2013 – Skuadra durrsake e Rilindjes ka zhvilluar një takim me përfaqësues të biznesit të vogël në Durrës.

Sipas zëdhënësit të selisë rozë në këtë takim merrnin pjesë kandidatët socialistë për deputetë Ilir Beqaj, Klodiana Spahiu, Gëzim Agasi dhe Esmeralda Shkjau.

Në këtë takim biznesmenët e vegjël kanë ngritur shqetësimet e tyre që lidhen me uljen drastike të fuqisë blerëse si pasojë e rrënimit të ekonomisë dhe pasqyrë e qartë për këtë janë listat e pafund të borxheve nëpër dyqane si dhe shumë probleme të tjera që lidhen me këto biznese.

Biznesi i vogël është shprehur se keqqeverisja aktuale e ka degraduar situatën ekonomike duke rrënuar edhe biznesin e vogël. Nga ana e tij Ilir Beqaj ka bërë një përmbledhje të asaj që ka ndodhur deri tani me biznesin i cili është në krizë totale.

Më tej Beqaj deklaroi se qeveia me kryeministër Edi Ramën në sajë të masave që do të marrë duke zbatur programin e Rilindjes do ti japë një frymëmarrje dhe lehtësim biznesit të vogël duke e normalizuar situatën e tij:

“Ne, socialistët, mbështesim biznesin shqiptar, sipërmarrjen, punën, mundin dhe talentin e klasës së biznesmenëve shqiptarë, të vetpunësuar, të vegjël, të mesëm e të mëdhenj. Biznesi i vogël është në krizë të plotë. Janë rreth 100 mijë të punësuar në biznesin e vogël me punën e të cilëve jetojnë rreth 400 mijë shqiptarë. Në 2005, qeveria e PD-së përgjysmoi taksnë e biznesit të vogël. Por në 2008, u vendos tatimi mbi të ardhurat 10 % dhe në 2009 u ul pragu i xhiros vjetore të TVSH në 5 milionë lekë. Kjo ka sjellë që barra fiskale e biznesit të vogël të jetë aktualisht më e lartë se e biznesit të madh. Biznesi i vogël është më krizë sepse në dyqanet e ushqimoreve listat e veresieve nga fletore janë bërë blloqe. Totali i borxheve të familjeve në dyqanet e ushqimoreve është rreth 150 milionë Euro. Ndaj ne zotohemi që do ta lehtësojmë biznesin e vogël duke marrë disa masa. Ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël dhe do të përgjysmojmë tatimin mbi të ardhurat për biznesin e vogël. Ne zotohemi të heqim taksën e korrupsionit. Do të clirojmë administratën tatimore nga perosnat e korruptuar. Do të krijojmë një administratë të vetme doganore dhe tatimore të qëndrueshme dhe profesionale. Ne angazhohemi se nuk do të njohim asnjë gjobë të vënë që nga data 1 mars 2013 dhe pas 23 qershorit nuk do të ketë më gjoba arbitrare dhe konkurrencë të pandershme. Ndaj biznesi të votojë numrin 29 dhe pas 23 qershorit do të marrë frymë lirisht pasi qeveria me kryeministër Edi Ramën do të zbatojë të gjitha këto zotime që ka marrë me programin e Rilindjes dhe kjo do të sjellë rilindjen e ekonomisë shqiptare dhe do të krijojë frymëmarrje për biznesin e vogël.”

Në takim e kanë marrë fjalën edhe pjesëtarët e tjerë të ekipit durrsak të Rilindjes të cilën kanë vënë theksin në rëndësinë që kanë këto zgjedhje edhe përsa i përket biznesit të vogël.

Deputetja Klodiana Spahiu deklaroi se biznesi i vogël që sot ndodhet në krizë ka të vetmen shpresë për tu lehtësuar dhe për tu normalizuar votën për PS që me programin e saj të Rilindjes do ta rilindë edhe këtë sektor.