“Ne do t’i japin fund paradoksit në këtë zonë, ku tubat janë shtruar, por ujë të pijshëm nuk ka,” – ka premtuar kandidati demokrat Igli Cara gjatë takimeve me banorë të zonave kodrinore të Spitallës, në Durrës.
“Është e papranueshme që familjet tuaja këtu të mos kenë ujë të pijshëm për mungesë të një pompe,” – ka shtuar ai. Shqetësime të njëjta, ndërkohë, kanë shfaqur edhe banorët e Porto Romanos apo edhe të lagjeve 16, 17 dhe 18 gjatë takimeve me kandidatin demokrat. Për këtë arsye ai është zotuar se “qeverisja e Partisë Demokratike do ta ketë prioritet përmirësimin e infrastrukturës urbane të lagjeve periferike të Durrësit.”
Kandidati demokrat Igli Cara i ka ftuar qytetarët që të ndryshojnë gjendjen, të largojnë Edi Ramën dhe të ndryshojnë qeverisjen për një të ardhme më të mirë, duke nënvizuar se “ndryshimi vjen po të bëhemi të gjithë bashkë.” “25 prilli do të jetë dita kur Rama duhet të ndëshkohet dhe duhet të largohet me votë,” – ka thënë ai.
Igli Cara, kandidat i Partisë Demokratike për deputet në Qarkun e Durrësit, ka zhvilluar takime të përditshme me banorë të lagjeve 16, 17, 18, të Spitallës dhe Porto Romanos, ku ka dëgjuar dhe parë nga afër mungesën e plotë të investimeve publike.
“Kudo ku kam shkuar, duket sikur ora ka mbetur në vitin 2013, – u ka thënë kandidati demokrat Igli Cara banorëve gjatë takimeve me ta. – Ishte qeveria e Partisë Demokratike ajo që nisi urbanizimin e lagjeve periferike të Durrësit me shtrimin e rrjetit të ujësjellësit dhe të energjisë elektrike, por asgjë tjetër nuk është bërë. Kudo ku kam shkuar shoh rrugë të pashtruara, mungesë të ndriçimit publik, kanale të hapura.”
Kandidati demokrat Igli Cara ka thënë se mungesa e investimeve në infrastrukturën publike ishte rezultat i abuzimeve me fondet nga qeverisja socialiste qendrore dhe vendore. “Bashkia e Durrësit ka marrë fonde të konsiderueshme, miliona euro, si nga qeveria, ashtu edhe nga taksat vendore, por të gjitha i ka çuar vetëm në një drejtim, – ka nënvizuar kandidati demokrat. – Bashkia e Durrësit ka investuar vetëm në qendër të qytetit dhe asgjë nuk është bërë për lagjet periferike.”
“Ju paguani taksa dhe keni të drejtë të merrni shërbimet që meritoni,” – ka shtuar kandidati i Partisë Demokratike.
Teksa është zotuar se “pas 25 prillit, qeverisja e Partisë Demokratike do të ketë një qasje krejt tjetër, do të jetë një qeverisje që do t’u shërbejë gjithë qytetarëve,” kandidati demokrat Igli Cara ka shtuar: “Ky ndryshim vjen po të bëhemi të gjithë bashkë. 25 prilli do të jetë dita kur Rama duhet të ndëshkohet dhe duhet të largohet me votë.”





