Fushata presidenciale e kryebashkiakut Pete Buttigieg në SHBA ka pushtuar kopertinën e revistës “Time”. Arsyet shpjegohen që në titull, sepse është e pagjasë, e patestuar më parë dhe e paprecedentë.
Pete Buttigieg është personi i parë i deklaruar gay që bën një përpjekje serioze për Shtëpinë e Bardhë. “Zoti nuk ka një parti politike”, është shprehur ai.
Për disa amerikanë, ai mund të jetë thjesht njeriu i duhur që të mposhtë demonët e Amerikës. Në një garë me më shumë se 20 kandidatë, duke përfshirë 6 senatorë, 4 kongresmenë dhe dy guvernatorë, Buttigieg ka arritur që nga një i panjohur të kthehet në një konkurrent, i cili po avancon me shpejtësi në kampin demokrat, duke lënë pas kandidatë edhe më të spikatur e duke u renditur tani pas Joe Biden dhe Bernie Sanders.
Ai flet 8 gjuhë të huaja, përfshirë norvegjishten dhe arabishten, e thotë se ka më tepër eksperiencë qeverisjeje sesa Trump. Mundësitë po i rriten ndjeshëm. Nuk janë të paktë demokratët e uritur për ndryshime në këtë gjeneratë dhe dy garuesit përpara tij janë dy herë më të mëdhenj në moshë.





