DURRES, 25 maj 2013- Durrësi do të dërgojë më 23 qershor përfaqësuesit e komunitetit çam në Kuvend. Kjo është bindja që kanë shprehur drejtuesit e PDIU-së në Durrës, të bindur se jo vetëm Ilirian Tahiri, si kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet të PDIU në Qarkun e Durrësit, por edhe të tjerë nga lista, do të jenë përfaqësues të kësaj force politike në Kuvend pas 23 qershorit.

Zonat e Plazhit dhe Shkozetit, ku ka edhe një komunitet më të përqendruar të çamëve, Tahiri është prezantuar nga vetë kreu i PDIU-së, i cili nuk e ka fshehur entuziazmin e fitores më 23 qershor.

“Fushata e PDIU, programi që prezantojmë dhe angazhimet që marrin deputetët tanë të ardhshëm, nuk janë thjesht pjesë e një beteje të zakonshme zgjedhore. Angazhimi ynë, zëri i deputetëve tanë është një vokacion patriotik që ka munguar në politikën shqiptare. Duke luftuar për zgjidhjen e çështjes çame, ne mbyllim një plagë të hapur në trupin e Shqipërisë tonë amë. Ne shpiem në vend një amanet – amanetin e të parëve tanë që u tretën zbuluar në trojet e shkretuara të Çamërisë martire, amanetin e gjyshërve tanë që kur vdesin na lënë amanet t’u sjellim mbi varr një grusht dhé e një gur nga gërmadhat e shtëpive të djegura në Çamëri. Duke qenë të bashkuar ne me siguri do arrijmë që kauza jonë të përqafohet e të bëhet çështje e gjithë shqiptarëve. Në këtë mënyrë ne do mundemi ta fitojmë dinjitetin e humbur dhe të drejtat tona”, tha në fjalën e tij Idrizi, duke theksuar se për çamët ka qenë dhe mbetet i rëndësishëm përçimi i vlerës që ka mbartur ky komunitet, duke respektuar vetveten dhe të tjerët.

Ndërkaq, Idrizi ka shprehur rëndësinë që ka drejtimi i fushatës nga të rinjtë e PDIU-së. Gjatë një takimi me Klubin e Patriotëve, Idrizi theksoi se, të rinjtë e kësaj partie janë shembulli që amaneti i të parëve nuk mund të shuhet kurrë. “Prania juaj në çdo fushatë na bën optimist se do votohemi në zgjedhjet e 23 qershorit. Por ajo që na bën më shumë optimist është fakti se ne kemi me vete të drejtën e Zotit që të kërkojmë votën për kauzën tonë. Ne besojmë te Zoti dhe përpara Zotit jemi të gjithë të barabartë. Asnjë person nuk është superior ndaj dikujt tjetër”, tha Idrizi.

Ndërkaq, kryesuesi i listës për Qarkun e Durrësit, Tahiri, shprehu bindjen e tij se mbështetja do të jetë shumë më e madhe se në çdo zgjedhje tjetër.

“E kisha të vështirë të dilja sot me këtë përgjegjësi, që t’ju përfaqësoj ju në Kuvendin e ardhshëm. Por entuziazmi juaj, mbështetja juaj, më bënë të ndihem krenar që m’u dha mundësia të jem zëri juaj në Kuvend. Unë kam biseduar shpesh me shumë nga ju për çështjen çame. Kemi folur për rëndësinë që ka zgjidhja e saj për secilin nga ne që ka një histori në shtëpitë e veta nga ajo që u ka ndodhur çamëve. Por dalja sot përpara jush si përfaqësuesi juaj, më bën të ndihem krenar. Unë jam i sigurt se mbështetja juaj është gjëja më e rëndësishme që kam marrë në vitet e mia të jetës. Dhe unë besoj se ajo që na ka bashkuar vetëm do të shtojë votat, sepse Durrësi e ka respektuar Çamërinë dhe kam bindjen e thellë që do ta mbështesë këtë herë edhe më shumë”, tha Tahiri pa fshehur emocionin e kandidimit të tij në emër të PDIU në Durrës.

Në zgjedhjet e fundit lokale, më 2011, PDIU me rreth 10 mijë vota, fitoi përfaqësues në këshillat lokalë në çdo bashki e komunë të këtij qarku.

/Shqip/