Intervistoi Mila Ballhysa
Prej disa javësh, kandidati i PD-së për qarkun Durrës, Igli Cara është në takime të përditshme me elektoratin dhe strukturat e partisë. Fushata e fundit ku është bërë pjesë direkte është ajo e vitit 2013, kur Partia Demokratike kërkonte mandatin e tretë qeverisës.
“Për fat të keq, në disa zona periferike shoh vetëm investimet që kemi bërë 8 vite më parë. Asgjë nuk ka ndryshuar në jetën e këtyre banorëve, përkundrazi është përkeqësuar”,- thotë ai.
Sipas tij, në zonat periferike të qytetit nuk është ndërhyrë aspak në infrastrukturë, në ndriçimin e rrugëve, kanalizime etj, pavarësisht se banorët i paguajnë taksat rregullisht.
Si shkaktare të varfërimit të shqiptarëve, të emigrimit të rinisë dhe trurit të vendit, të përkeqësimit të situatës së rendit publik, Cara sheh qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.
“Shqipëria dhe veçanërisht Durrësi të kujtojnë Italinë e viteve ‘90 të Paolo Borselinos”,– thotë ai në një intervistë për “DurrësLajm”.
“Kemi trafik, kemi korrupsion, në çdo aspekt jemi më keq. Kjo qeveri po vret edhe të ardhmen”,– shton më tej ai.
Duke u ndalur tek gjërat e bëra keq nga qeveria socialiste, Cara rendit disa prej tyre si shtrenjtimi i faturave të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm, çmimi i karburantit dhe rritja e munguar e pagave dhe pensioneve.
“Qytetarët janë të vjedhur pikërisht nga kjo qeveri”,- thotë Cara, ndërsa rendit tre arsyet çfarë do të ndryshojë pas 25 prillit në jetën e shqiptarëve, me fitoren e Partisë Demokratike dhe koalicionit opozitar.
“Do të rishohim çmimin e energjisë elektrike, do të vendosim sërish fashën për 300 KW e parë për abonentët familjarë. Do të rishohim çmimin e ujit dhe karburantit”.
Duke u ndalur tek goditja që mori Durrësi nga tërmeti i nëntorit 2019, kandidati demokrat thotë se në shumë raste fondet që u akorduan nga ndërkombëtarët për rimëkëmbjen e zonave të dëmtuara po keqpërdoren.
“Fondet që erdhën nga Bashkimi Evropian erdhën për qytetarët durrsakë dhe qytetarët shqiptarë të dëmtuar nga tërmeti nuk erdhën për qeverinë Rama. Disa thonë se Rama po shpërndan para. Jo, Rama nuk po shpërndan para, Rama po menaxhon ato para që erdhën nga BE, madje ka plot raste që këto para po keqpërdoren”, – thotë ai.
Si një nga dështimet më të mëdha të qeverisë Rama, kandidati Igli Cara konsideron humbjen e shpresës së shqiptarëve, për një jetë më të mirë në vendin e tyre.
“82% e rinisë kërkon të ikë. Kjo do të thotë se ata nuk kanë shpresë. Humbja e shpresës është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një vendi”,– deklaron ai.
Gjatë njërit prej takimeve nëpër zona të ndryshme të qytetit, kandidatit Cara i kanë mbetur në mendje fjalët e një banori, paralajmërimi i të cilit është tronditës: “Këto ndërtime që po bëjmë më duket se nuk do t’i gëzojmë, sepse gjithë rinia po ikën. Më duket se do të kemi vizitorë vetëm dallëndyshet!!!”
Afrimin e shumë figurave që prej vitesh ishin tërhequr nga politika aktive apo personazheve që kanë qenë të pranishëm që nga ditët e para të formimit të degës lokale të PD-së, Cara e sheh si një faktor mjaft pozitiv.
“Na duhet ndihma e të gjithëve për të larguar Ramën. Ne jemi të gjithë në një front, për të larguar të keqen”.
Por pse duhet durrsakët dhe votuesit e qarkut Durrës duhet të votojnë kandidatin Igli Cara dhe PD-në më 25 prill?
Kandidati Cara, i cili renditet në vendin e 7-të në listë ka një përgjigje të qartë dhe të prerë për këtë pyetje: “E rëndësishme është që të votojmë ndryshimin. E rëndësishme është të votojmë PD. Të jemi të gjithë bashkë. Nëse më 25 prill shkojmë drejt kutive të votimit, do të bëjmë një shërbim jo vetëm për një person, por për gjithë qytetin”.





