Ditën e sotme u zyrtarizua emri i kandidatit për kryetar bashkie të Shijakut. PS zgjodhi të kandidonte kreun e degës lokale, Elton Arbanën. I njohur në elektoratin e majtë të PS-së së Shijakut, por jo vetëm, Elton Arbana premton të japë më të mirën në këtë sfidë të re të tij.
Në një prononcim për DurrësLajm, menjëherë pas zyrtarizimit të kandidaturës, Arbana shprehet se për të është një sfidë ky kandidim, ndërsa ka një falenderim të veçantë për kryeministrin Rama për besimin e treguar.
“Sfidat frymëzojnë misione. Misioni ynë tashmë është ai i një përfaqësimi sa më dinjitoz të gjithë atyre që besuan te unë. Falenderoj të gjithë njerëzit që më mbështetën, Kryeministrin e Shqipërisë për besimin që më dha në këtë kandidaturë për të përfaqësuar partinë më të madhe në vend, PS”,- thotë Arbana.
Megjithëse ende kandidat dhe jo kryetar bashkie i Shijakut, Arbana shprehet se puna me përkushtim dhe vëmendja tek njerëzit do të jenë prioritet i tij në këtë sfidë të re që po ndërmerr.
“Si prind synoj dhe zotohem që do të bëjmë të pamundurën të mundur, për më të mirën e fëmijëve – të ardhmes. Gjatë rrugëtimit tim të deritanishëm kam njohur shumë njerëz pa profil publik, qytetarë të thjeshtë që besojnë te e ardhmja e Shqipërisë, njerëz frymëzues, me një përkushtim për t’u adhuruar në çdo veprimtari që kryejnë për familjen e tyre dhe komunitetin. Së bashku, si një ekip i vetëm, të punojmë me përkushtim për Shijakun që duam. E gjithë vëmendja do të jetë tek njerëzit",- thotë Arbana për DurrësLajm.
M.B.





