ÇEKI– Artisti, kompozitori dhe profesori Vladimir Franz është kandidati i shtatë në garën presidenciale në Republikën Çeke.
Pedagogu 53-vjeçar i artit teatral deklaroi se arriti të mblidhte rreth 90.000 firma në mbështetje të vet, të cilat bënë të mundur që ai të bëhej kandidat për President.
E vetmja gjë që e dallon Franz nga kandidatët e tjerë për presidencën është fytyra e tij e mbuluar krejtësisht me tatuazhe. Pothuajse 90% e trupit të profesorit është i mbuluar me tatuazhe dhe piercings, ndërsa flokët ai i ka të lyera në ngjyrë blu. Për pamjen e tij të jashtme ai ka marrë nofkën "Avatar".
Premtimi kryesor i fushatës zgjedhore të Vladimir Franz është legalizimi i marihuanës.
Vladimir Franz është 53 vjeç, ka lindur në Pragë dhe është diplomuar për jurisprudencë. Në të njëjtën kohë ai është kompozitor i pjesëve muzikore, piktor dhe pedagog në Akademinë e Artit dhe Spektaklit në Pragë.
Për herë të parë kreu i shtetit do të zgjidhet nga të gjithë qytetarët çekë që kanë të drejtën e votës dhe jo vetëm nga deputetët e dy Dhomave të Parlamentit, ashtu siç ka ndodhur në vitet e mëparshme.
Sipas mendimit të të gjithëve, raundin e parë nuk do ta fitojë asnjë nga shtatë kandidatët në garë. Pritet që të preferuarit e votuesve të jenë dy ish-kryeministrat Milosh Zeman dhe Jan Fisher.