ARMENI – Kandidati për president në Armeni, Paruir Hayrikyan i plagosur në një atentat, kërkoi shtyrjen për dy javë të datës së zgjedhjeve presidenciale. 

Hayrikyan kishte deklaruar ditën e martë se nuk do të kërkonte shtyrje të datës, por të dielën apeloi në Gjykatën Kushtetuese për një shtyrje prej dy javësh për shkak të problemeve të tij shëndetësore, raporton agjencia e lajmeve Armenpress. 

Paruir Hayrikyan, 63 vjeç në 31 janar të këtij viti u plagos në një atentat pranë shtëpisë së tij në Yerevan. 

Zgjedhjet presidenciale në Armeni janë caktuar të mbahen më datë 18 shkurt, ndërsa Kushtetuta thotë se zgjedhjet mund të shtyhen për dy javë nëse për një nga kandidatët lindin ‘pengesa të pakapërcyeshme’. 

Gjykata Kushtetuese pritet të vendos brenda 4 ditësh në lidhje me apelin e kandidatit Hayrikyan. 

Në vitin 2008, zgjedhjet presidenciale çuan në përleshje mes policisë dhe protestuesve, që lanë 10 persona të vdekur, pasi Sarkisian u shpall fitues i tyre.