Nga Gjergj Thanasi

23 maj 2015 – Kandidatja Duma-Shqina për Bashkinë e Durrësit në kombëtarin TV Klan, bëri publike disa pjesë të programit të saj, si edhe disa premtime elektorale të saj për Durrësin dhe durrsakët. Na tërhoqi vëmendjen premtimi i saj për ndërtimin e një muzeu naval në Durrës. Sinqerisht një premtim i tillë tipik në hava na solli ndërmend premtimet e Alimucës e Xhaferrit për mrekullitë që do bënin firmat e tyre piramidale me gjithëfarësoj investimesh e gjithëfarëlloj projektesh, njëri më madhështor se tjetri.

Le të analizojmë me gjakftohtësi pse premtimi i kandiates Duma-Shqina për muzeun naval (detar) është jo vetëm i gënjeshtërt, por edhe tipik mashtrues. Ky muzeu naval së pari nuk ndërtohet në ajër, por mbi një truall. Gjetja e truallit të lirë shtetëror sot në Durrës është e vështirë, ndërsa shpronëzimi i truallit privat shton edhe më shumë koston e projektit. Ja supozojmë e gjetëm truallin, po paratë nga do dalin? Nga buxheti i bashkisë apo nga buxheti i qeverisë së madhe të Tiranës? Bashkia e ka të kufizuar buxhetin, edhe në rastin kur taksidarët e “ndershëm” të znj. Duma-Shqina, ndryshe nga taksidarët e “korruptuar” të Dakos do të arrijnë t’i mbledhin 100% taksat, që i ka caktuar ligji pushtetit vendor, përsëri Durrësi qytet dhe zona e tij rurale me 101 halle, zor se do ia ketë ngenë projektit tangërllëkës të një muzeu naval.

Mbetet të nxirren paratë nga “thesi” i qeverisë Rama. Vetë kryeministri disa herë, në disa zona të Shqipërisë ua ka bërë të qartë njerëzve, që qeveria nuk do japë lekë për bashkitë me kryebashkiakë të PD-së. Kundër këtij kërcënimi të keqkamufluar të kryeministrit Rama i ra “Çiftelisë” edhe vetë Prec Zogaj nja 2-3 ditë më parë në faqet e gazetës më të shitshme në Shqipëri. Po zj. Duma-Shqina si do e bindë kryeministrin Rama për ta zgjidhur qesen për muzeun e saj naval?! Vërtet Landi biznesmenin e ndërtimit e bindi znj. Duma-Shqina, që ta bënte drejtoreshë dhe ortake të kompanisë së vet, por fatkeqësisht kryeminsitri Rama edhe në shije personale është diametralisht i kundërt, me biznesmen Landin përfaqësues të komunitetit me ngjyrë të qytetit të Vlorës. Nëse me hiret, me përvojën e shkollimin e saj sociologjik, znj. Duma-Shqina nuk ka shans ta bindë kryeministrin, atëhere nga do dalin lekët për muzeun naval?!

Le të fantazojmë për një moment e të shohim ëndërr se kandidatja Duma-Shqina falë aftësive të saj bindëse, i mbushi mendjen filan sheiku nga Arabistani të hedhë ca miliona euro për muzeun naval, premtim elektorl të saj. Bukuri u gjetën paratë, por çfarë do ekspozojë në të kandidatja Duma-Shqina? Modelet me bukë peshku të Lembeve ilire, brikëve e skampavijave të Haxhi Aliut apo Ali Pashë Tepelenës, apo të avullores “Shqypnia” të vitit 1913? Mos do varë në muret e muzeut naval skica, ndonjë fotografi të vjetër të Studios Marubi e asaj Shan Pici, apo ndonjë palë dylbi turke të kohës së Luftës së Parë Botërore?! Sot zor se gjen një sekstant të motoveljerëve të Agjencisë Kalamisha të viteve ’30. Nuk gjen madje asnjë manometër të avulloreve të viteve ’50 të prodhuara në kantjerin detar të Danzingut. More po nuk gjen dot një fluger nga ato të motofllugave të familjes ulqinake Peku, as edhe ndonjë llullë kapidani të familjes tjetër ulqinake Krymi nuk gjen që nuk gjen dot.

Me se do na i mbushë eksponantet e muzeut zonja Duma-Shqina? Mos vallë do e bindë Artan Lamen, që objektet që lidhen me detarinë të muzeut të vet privat, t’ia kalojë muzeut naval ëndërr-premtim të Kandidates në fjalë?!

Pasi pimë një kanaçe Red Bull e lejojmë fantazinë tonë të bëhet me krahë e të fluturojë dhe kështu arrijmë ta bëjmë realitet premtimin e muzeut naval. Por mbajtja e një muzeu të tillë ka kosto si rroga për personelin, pagesë uji, dritash, mirëmbajtje etj. Bashkia aktuale me zor po mban në eficencë muzetë që ka dhe i ofrohet një tjetër thelë për mbi bisht.

Me siguri bashkia virtuale e znj. Duma-Shqinës do gjejë burime parash të posaçme. Patjetër, kur premtohet pa masë e doganë edhe paratë do gjenden pa masë e doganë, se paratë janë si bari i livadheve, që mjafton të marrësh kosën e ta kositësh. Tashmë, edhe bankieri Santo është vrarë (policët e Tahirit mazallah se po i kapin vrasësit!), ku do i gjejë paratë kandidatja Duma-Shqina në mungesë të Santos ndjesë pastë?! Përsëri bëjmë një hesap utilitar. Ky muze sa do i shërbejë Durrësit? Sa do shtohet numri i turistëve në sajë të këtij muzeu? Sa do pasurohet oferta turistike e qytetit duke futur edhe këtë zë në të? Pyetjet janë në sensin a ia vlen barra qiranë apo një muze i tillë është tangërllëk për një vend të vogël e relativisht të vrafër si Shqipëria. Vetë kandidatja Duma-Shqima në takimet me elektoratin durrsak është shprehur kundër investimeve publike luksoze  në Durrës, me arsyetimin se Durrësi ka halle shumë më të mëdha e nuk ia ka ngenë luksit. Natyrshëm lind pyetja po muzeut naval të propozuar nga kandidatja Duma-Shqina a ia ka ngenë Durrësi? A nuk është edhe ky muzeu luks i panevojshëm.

Problemi është edhe më i thellë se kaq. Kur bëhen premtime të tilla të gënjeshtra nga kandidatët në garë a kihet parasysh se sa vota mund të mblidhen me një rrenë të tillë? Fjala vjen elektorati rural i bashkisë së re të Durrësit sa mund të ndikohet vallë me premtimin se zj. Grida kryetare bashkie do u ngrerë një muze naval në Durrës? Qoftë edhe elektorati brenda qytetit të Durrësit sa mund të ndikohet nga një premtim i tillë? Sa njerëz të lëkundur pasi kanë dëgjuarpremtimin e kandidates Duma-Shqina janë bindur e më 21 qershor do vrapojnë për te kutia e votimit për të votuar kandidaten muze-premtuese?!

Është e vërtetë që pas gjuetisë, në luftë e gjatë fushatës elektorale gënjehet shumë, por siç thotë latini: ‘Est modus in rebus!’

Gjella me kripë dhe kripa me karar, në të kundërt gjella bëhet si supë spitali. Durrsakët zor se mund ta gëlltisin një “supë” spitali të tillë. P.sh. nëse kandidatja Duma-Shqina do të kontrollonte blogjet e ndryshme, do të shikonte sesi pjesëmarrësit në to, që janë nga Durrësi i kërkojnë hesap Dakos pse nuk mban premtimin e 4 viteve më parë për rikonstruksionin e pishinës. Pikërisht një presion i tillë popullor e ka detyruar Dakon, që me ngut ta bëjë këtë rikonstruksion tani në fund të mandatit. Mos vallë kandidatja Duma-Shqina mendon t’u marrë një herë votat me mashtrim e me rrena navale “Durrseqërve” e më pas kalova lumin të……..?

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/