Drejtuesja politike e PD në Tiranë, Albana Vokshi ka paditur në KQZ ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, me argumentin se po shkel Kodin Zgjedhor me zyrat elektorale.
Në një deklaratë për media, Vokshi publikoi foto e video, që sipas saj, janë fakte për shkeljen e ligjit elektoral nga ministrja Manastirliu.
Si Manastirliu, edhe Vokshi, mbulojnë njësinë 9 në Tiranë, por kandidatja e PD tregoi se kundërshtarja e saj politike ka hapur të paktën 2 zyra elektorale shumë pranë objekteve të përcaktuar si qendra votimi.
Bëhet fjalë për zyrën te shkolla “Jeronim de Rada” dhe Kopshti 3, të cilat sipas Vokshit janë shumë pranë qendrës së votimit të njësisë 9. Ajo i ka bërë thirrje KQZ-së që të verifikojë këtë shkelje dhe të urdhërojë mbylljen e zyrave.
“Është një akt i paligjshëm që synon të intimidojë zgjedhësit ditën e votimit”- thotë Albana Vokshi para zyrës elektorale me qepena të ulur të PS. I bëj thirrje KQZ që të mos bëhet palë me PS, por të verifikojë çdo shkelje të ligjit dhe të urdhërojë Policinë Bashkiakë t’i mbyllë këto zyra.
Pamjet tregojnë se zyra është në cep të kopshtit, ku janë disa qendra votimi të njësisë 9. Është një akt i paligjshëm që synon të intimidojë zgjedhësit ditën e votimit.”, tha Vokshi.





