Në përfundim të takimit me demokratët e Durrësit, lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha foli për “DurrësLajm” lidhur me kandidaturën me të cilën selia blu do të prezantohet në qytetin bregdetar, në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Basha falenderoi demokratët e Durrësit për takimin entuziast që i rezervuan pasditen e sotme, ndërsa duke u ndalur tek kandidatura u shpreh:

“Askush s’ka ardhur për veten e tij, të gjithë kemi ardhur së pari për Durrësin, për Shqipërinë dhe natyrisht për shpresën e Durrësit dhe Shqipërisë që është PD.

Ju siguroj që PD, dega e Durrësit, në mënyrën më gjithëpërfshirëse dhe transparente, do t’i ofrojë Durrësit personin më të denjë që edhe pse ky është një proces zgjedhjesh të pjesshme lokale të përfaqësojë kontrastin e madh që sot ndodhet kudo në Shqipëri, midis një pakice absolute që Durrësin, pronat e qytetit dhe portin e shohin si pla­­çkën e tyre personale dhe durrsakët si skllevërit e tyre dhe PD-së e përfaqësuesve tanë që mezi presin momentin që bashkë me shqiptarët, t’i kthejnë dinjitetin e nëpërkëmbur dhe të drejtat e mohuara të durrsakëve dhe gjithë shqiptarëve”,- tha Basha.

DurrësLajm: A keni një emër konkret, a do të dalë PD me dy kandidatura të veçanta?

Basha: E keni përgjigjen brenda asaj që sapo ju thashë, mjafton ta transmetoni të plotë.

M.B.