24 janari është data e fundit që Komisioni i Rithemelimit të PD-së ka vendosur për dorëzimin e kandidaturave për kryebashkiak në 6 bashkitë, ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
Burime nga ky Komision bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se orët e fundit janë mjaft intensive dhe po bëhen konsulta të shumta me strukturat për të nxjerrë kandidat/ë që gëzojnë mbështetje të gjerë dhe njihen për integritetin e tyre. Mendohet se do të jetë ora 24.00 e mbrëmjes së sotme, afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave, që më pas do t’i nënshtrohen primareve, ku kandidati më i votuar nga anëtarësia do të përfshihet në garën për kryebashkiak të qytetit bregdetar. Deri më tani, emri që lakohet nga mbështetësit e Berishës në Durrës është ai i urbanistit Ardian Muka.
E njëjta situatë paraqitet edhe në degën lokale të PD-së zyrtare, ku kryetari i emëruar Luan Hoti, i përfolur edhe si kandidat potencial për garën për kryebashkiak, ka qenë gjatë këtyre ditëve në kontakte të vazhdueshme me demokratët.
Lajmin e dalë në media se “PD e Bashës në Durrës njeh primaret e Berishës”, Hoti e konsideroi fake news (lajm i rremë).
“DurrësLajm” mëson se pasditen e sotme do të ketë një mbledhje të kryesisë së PD-së lokale nga ku gjasat janë që të arrihet në një konkluzion final lidhur me garën e 6 marsit.
Të shtunën, kreu i PD, Lulzim Basha ishte në qytetin bregdetar, në një takim me strukturat, por pavarësisht interesimit mediatik, ai refuzoi të japë emrin e kandidatit/es me të cilin PD do të garojë përballë Emiriana Sakos.
I pyetur nga “DurrësLajm”, Basha deklaroi: “Ju siguroj që PD, dega e Durrësit, në mënyrën më gjithëpërfshirëse dhe transparente, do t’i ofrojë Durrësit personin më të denjë”.
A nënkupton “mënyra më gjithëpërfshirëse” një kandidat të përbashkët të të dyja palëve?!
Kjo pritet të zbardhet në orët në vijim.
M.B.