“Pranimi apo jo i kandidaturës së Fatos Nanos do të jetë një vendim politik i PS-së”, thotë deputeti socialist Hazir Gashi. “Nano së pari duhet të marrë konsensusin edhe të forcave të tjera politike. Natyrisht që qëndrimi dhe vendimi i selisë rozë në lidhje me këtë çështje do të jetë i pjekur dhe i matur”

Deputeti socialist i Durrësit, Hazir Gashi, e ka konsideruar një vendim politik të PS-së faktin nëse Fatos Nano do të pranohet apo jo si një kandidaturë politike për President nga ana e selisë rozë. Nano është shprehur Gashi duhet të takohet dhe të marrë të gjithë konsensusin e forcave të tjera politike dhe më pas të kërkojë mbështetjen e PS-së. Deputeti i Durrësit do të komentonte dhe detaje të tjera në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor, por dhe me zhvillimet dhe problematikat e qytetit bregdetar.

Cili është qëndrimi juaj në lidhje me faktin nëse PS-ja do të mbështesë apo jo kandidimin e liderit historik të kësaj force politike,  Fatos Nano?

Unë mendoj se pranimi apo jo i kandidaturës do të jetë një vendim politik i PS-së dhe së pari Nano duhet të marrë konsensusin edhe të forcave të tjera politike. Nuk dihet se cilat do të jenë zhvillimet dhe se sa do të gjejë Nano mbështetje në kandidimin e tij për president nga forcat e tjera politike. Natyrisht që qëndrimi dhe vendimi i PS-së në lidhje me këtë çështje do të jetë i pjekur dhe i matur. Le të shikojmë një herë se çfarë mbështetje do të gjejë ai në forcat e tjera politike dhe më pas të shikojmë  vendimin e PS-së në lidhje me këtë çështje.

Ka pasur një reagim të partive të vogla në lidhje me ndryshimin e kodit zgjedhor. A mendoni se ky kod duhet ndryshuar?

Për mendimin tim sistemi aktual zgjedhor nuk duhet ndryshuar. Ky sistem i jep hakun çdo force politike. E rëndësishme është që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të ndershme dhe vota të mos deformohet.

Sa është ndjerë në Parlament zëri i deputetëve socialistë të Durrësit në lidhje me problematikën që ka ky qytet?

Mendoj se për çështje të caktuara prioritetesh reagimi i deputetëve të opozitës dhe i imi personalisht ka qenë konform interesave të Durrësit, komunave apo bashkive në shkallë rrethi. Në fakt problematika me të cilën përballet qyteti është evidente.

Cilat janë sipas jush disa nga problemet me të cilat përballet qyteti bregdetar?

Në radhë të parë Durrësi ka një problem serioz përsa i përket kanalizimeve. Shikoni me kujdes se çfarë ndodh në qytet kur ka reshje intensive. Rrugët mbushen me ujë si në mesjetë. Shikoni se çfarë ndodh në një nga zonat elitare të qytetit pranë shëtitores “Taulantia” ku në hyrje të saj pranë murit të portit derdhen ujëra të zeza që mund të përhapin dhe epidemi të ndryshme.

Duhet një ndërhyrje intensive në këtë zonë për të shmangur kontaminime të mundshme. Ky problem është dhe në zonën turistike ku ujërat e zeza derdhen në det apo ku mungon furnizimi i rregullt me ujë të pijshëm. Mendoj se shteti duhet të bëjë më shumë për Durrësin.

Po kështu probleme shumë shqetësuese janë papunësia dhe varfëria. Nëse nuk zgjidhen këto shqetësime, problematikat e tjera do të duken të parëndësishme.