Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës të Kryeministri Edi Rama mbi zhvillimin e seancës së sotme plenare mes kaosit dhe tymit te flakadanëve të ndezur nga deputetët e opozitës në Kuvend.

I ashpër në statusin e tij, Bardhi ka akuzuar Ramën se ka futur në politikë e parlament përfaqësues të krimit të organizuar, trafikantë, vrasës e hajdutë, duke e bërë Shqipërinë të vetmin vend në Europë që kishte nevojë për miratimin e një ligji për dekriminalizimin e politikës.

Ndërsa sa i takon seancës së sotme, ai thotë se kreu i qeverisë kishte futur në sallën e Kuvendit 65 gardistë, ndërsa miratonte buxhetin e 2024, që sipas Bardhit financon vetëm PPP korruptive.

“Edi Rama futi në politikë e parlament përfaqësues të krimit të organizuar, trafikantë, vrasës e hajdutë, duke e bërë Shqipërinë të vetmin vend në Europë që kishte nevojë për miratimin e një ligji për dekriminalizimin e politikës. Sot si një frikacak i kapur në flagrancë me aferat korruptive miliona euro që hetohen e gjykohen çdo ditë nga drejtësia, kishte futur në sallën e Kuvendit 65 gardistë, për ta mbrojtur ndërsa miratonte si manikin buxhetin që financon vetëm PPP korruptive dhe projektet që injektojnë më shumë para për tenderat që kontrollohen nga krimi i organizuar”, shkruan Bardhi.