Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm ditën e sotme në qytetin e Shkodrës ku vizitoi nga afër kantierin e punimeve për hyrjen e re të qytetit si dhe foli në Asamblenë e Zgjeruar të PS-së, në kuadër të Kongresit të kësaj partie pas disa ditësh.

Rama ndër të tjera foli edhe për kaosin në parlament të shkaktuar nga disa deputetë të opozitës. Sipas tij, ato skena bëhen nga disa njerëz që kanë probleme me drejtësinë dhe janë akte që njerëzit i kryejnë kur dalin nga kontrolli.

“Në parlament është një hall tjetër shumë i madh i dikujt, thonë, por nuk është vetëm njëri, por janë disa që kanë probleme me drejtësinë dhe që e kanë marrë peng parlamentin me akte që zakonisht i bëjnë njerëzit kur dalin nga kontrolli”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Rama foli edhe për projektet e reja në qytetin e Shkodrës. Për herë të parë qytetin verior e drejton një kryebashkiak i dalë nga rradhët e Partisë Socialiste, si Benet Beci.

Rama u shpreh se shkodranët kanë menduar për 30 vite se socialistët kanë qenë mallikimi, por tani po kuptojnë që janë bekimi i këtij qyteti. Sakaq, ai shton se në Shkodër do të hapen dyer të tjera kulture.

“Ky qytet i bekuar jetoi për 30 vjet duke menduar se mallkimi ishim ne, dhe vetëm sa ka filluar ta shikojë se ne jemi bekimi i Shkodrës dhe mallkimi ishte tjetërkush. Ne jemi bekimi i Shkodrës, mallkimi ishte tjetër kush, por të shkuara e të harruara kur i thonë fjalës. Besoj se në të gjitha rastet kjo tani çfarë iku nuk kthehet por në të gjitha rastet është mirë që të jemi më të motivuar të japim provën se e kemi merituar atë votë. Kali i PS do ta çojë Shkodrën shumë lart.

Në Shkodër s’kanë parë gjë akoma kam shumë besim se do bëjmë shumë gjëra të bukura sepse ka shumë gjëra të bukura për të bërë këtu. Shkodra ka shumë thesare të fshehura në pluhur, kulturore, që duke i nxjerrë duke i evidentuar duke i përdorur për ekonominë përmes turizmit mund ta bëjnë Shkodrën një destinacion ekstra pikërisht për këtë pjesë. I vetmi qytet që ka një traditë të pikturës e njësuar me traditën e pikturës shqiptare. Në Shkodër kemi nevojë të hapim dyer të tjera kulture”, u shpreh Rama.