Avokati Genc Gjokutaj ka kallëzuar personat të cilët, sipas tij, kanë arrestuar kreun e PL-së, Ilir Metën më 21 tetor te “Kthesa e Kamzës”. Gjokutaj u shpreh në protestën para SPAK se personat e kallëzuar kanë shpërdoruar detyrën me arrestimin e Metës.
Gjokutaj: Kemi depozituar në rrugë postare kallëzimin ndaj policisë së shtetit, ministrit të Brendshëm, drejtorit të policisë së shtetit dhe forcave operacionale me rastin e rrëmbimit kriminal që iu bë zotit Meta. Ata kanë shpërdoruar detyrën. I kemi kërkuar SPAK dhe GJKKO të shpallin të paligjshëm ndalimin e tij.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.