Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 36-vjeçar të shpallur në kërkim, i akuzuar për kanosje me armë ndaj dy shtetasve.
Arrestimi u bë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, në kuadër të një faze tjetër të planit operacional të koduar “Siguria”, që synon kapjen e personave në kërkim.
Në pranga ra shtetasi L. I., alias L. Sh., 36 vjeç, banues në Shijak. Sipas policisë, ndaj tij Gjykata e Durrësit kishte caktuar në muajin shkurt masën e sigurisë “arrest me burg” për disa vepra penale, mes tyre “kanosja”, “mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” si dhe “mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur në janar të këtij viti, kur 36-vjeçari, nga automjeti me të cilin lëvizte, ka kanosur me armë zjarri dy shtetas.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi municion luftarak, një thikë dhe dy radio policie, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.





