1 shtator 2015 – Nata e MTV Video Music Awards shërbeu si momenti i duhur që rreperi Kanye West të bënte me dije se në 2020-n do do të kandidojë për president të SHBA-së, madje nuk ngurroi të bëjë dhe premtimet e para.
“Pra, siç mund ta merrni me mend që tani e në vazhdim e vërteta është se unë do të kandidoj për president në vitin 2020”.
Artisti i suksesshëm, vit pas viti e ka pasuruar karrierën e tij me çmime të shumta që flasin për një figurë shumë të dashur për publikun, e kryesisht për të rinjtë. Pikërisht ky përbën edhe grupin më të luhatur të votuesve në Amerikë. Po ashtu, revista të ndryshme si “GQ” apo “Time” e kanë cilësuar këngëtarin si një person me shumë influencë.
“Unë nuk dua që fëmijët tanë të kenë vetëvlerësim të ulët dhe as të ushqejnë urrejtje për njëri-tjetrin. Ne do t’i mësojmë fëmijët tanë që të bëhen dikush, që t’i dalin vetes për zot, ne do t’i mësojmë fëmijët tanë që të besojnë te vetja e tyre”, tha West.
Por, në rast se kjo mund të realizohet ndonjë ditë, a e përfytyroni dot gruan e tij Kim Kardashian, si zonjë të parë të Amerikës? Një shoW girl që i pëlqen aq shumë të pozojë shpesh nudo, fotot e së cilës qarkullojnë në mbarë botën.
Lajmi ka bërë bujë në media ndërkombëtare dhe nëpër rrjete sociale.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/