Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, qëlloi raketa nga Libani drejt Izraelit për të dytën ditë të dielën, ndërsa ushtria izraelite ka avancuar në jug të Libanit. Konflikti është pjesë e një përshkallëzimi më të gjerë rajonal midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, ndërsa sulmet ajrore izraelite kanë vrarë dhjetëra njerëz, sipas autoriteteve libaneze. Të hënën, mijëra banorë u larguan nga fshatrat jugore, ndërsa në Bejrut, familjet e zhvendosura u mblodhën në Sheshin e Dëshmorëve dhe përgjatë bregdetit të Mesdheut. Sulmet kanë goditur jugun e Libanit, Luginën lindore Bekaa dhe periferitë jugore të Bejrutit, të njohura si Dahihe – zemra e Hezbollahut dhe komunitetit shiit.

Ministrja e Çështjeve Sociale e Libanit, Haneen Sayed, tha se rreth 65,000 persona janë regjistruar në strehimore, ndërsa 10,000–20,000 të tjerë janë zhvendosur dhe strehohen te miq e të afërm. “Situata është e vështirë. Kujtimet nga lufta me Izraelin në 2024 janë ende të freskëta,” tha Sayed. Sulmet ajrore kanë shkatërruar të paktën pesë ndërtesa banimi në periferitë jugore të Bejrutit, përfshirë edhe një hotel në Hazmieh, pa paralajmërim paraprak. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Ketz, tha se ushtria ka avancuar të paktën një kilometër në shtatë pozicione në jug të Libanit dhe se operacioni po përshkallëzohet me presion nga toka dhe ajri.

Hezbollahu dhe lidhjet me Iranin
Hezbollahu, i krijuar në 1982 gjatë Luftës Civile Libaneze, është një grup i armatosur shiit, frymëzuar nga Revolucioni Islamik i Iranit. Grupi ka qenë historikisht mbështetës i politikës së Iranit dhe është financuar rregullisht nga Teherani, me vlerë rreth 700 milionë dollarë në vit, sipas qeverisë amerikane. Analistët e konsiderojnë këtë raund të dhunës si të parashikueshëm, pasi Izraeli ka paralajmëruar për operacione kundër Hezbollahut pas një armëpushimi të vitit 2024. Vendimi i Hezbollahut për të sulmuar ka nxitur reagime të menjëhershme në Liban, me qeverinë që ndaloi aktivitetet ushtarake të grupit dhe kërkoi dorëzimin e armëve. Kryeministri Nawaf Salam e përshkroi sulmin si një sfidë ndaj “vullnetit të shumicës së libanezëve”.

Sipas Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, Hezbollah “kundërshton fuqishëm Izraelin dhe aktorët perëndimorë në Lindjen e Mesme” dhe vepron si përfaqësues i interesave të Iranit. Grupi, i cili dikur synonte krijimin e një regjimi islamist në Liban, është përfshirë gjithashtu në politikën kryesore të vendit, duke adaptuar qëllimet e tij me kalimin e kohës.