Policia ka arrestuar 14 protestues për veprimet e dhunshme gjatë mbrëmjes së djeshme, 22 mars, si dhe ka proceduar në gjendje të lirë 9 të tjerë.
Në total ishin 23 të shoqëruar, mes tyre edhe 4 të mitur, të cilët u lanë të lirë.
Ashtu si herët e shkuara, edhe protesta e 6-të kombëtare e Partisë Demokratike, e cila zgjati rreth 2 orë e gjysmë, u shoqërua me tensione dhe incidente të shumta. Protestuesit marshuan drejt institucioneve kryesore, përfshirë Kryeministrinë, ku u hodhën molotovë, fishekzjarrë dhe flakadanë.
Policia ndërhyri disa herë duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Si pasojë e përplasjeve, mbetën të lënduar 6 efektivë policie, ndërsa një qytetar humbi ndjenjat.
Gazi lotsjellës preku edhe kryetarin e PD-së, Sali Berisha, i cili u detyrua të ndalonte për disa momente përpara se të rikthehej në protestë.
Pas përfundimit të tubimit, Berisha e cilësoi protestën si të suksesshme dhe la të kuptohet se të tjera tubime priten në vijim.





