Afganistani është tashmë në një eksod refugjatësh që po përpiqen të largohen pasi talebanët kanë marrë nën kontroll vendin.

Kabuli tashmë është zgjuar ndryshe, por në kryeqytet nuk ka më trazira pasi forcat qeveritare janë larguar bashkë me Presidentin Ghani.

Probleme ka vetëm në aeroportin ndërkombëtar ku bashkangjitur stafeve diplomatike të shteteve perëndimore janë dhe mijëra afganë që po tentojnë të largohen.

Ndërkohë sipas AFP, trupat amerikane gjuajtën në ajër në aeroportin e Kabulit. “Ndihem shumë i frikësuar këtu. Ata po gjuajnë në ajër,” tha një dëshmitar për AFP.

Mediat  e huaja kanë transmetuar disa video të njerëzve që vrapojnë në pistat e aeroportit dhe përpiqen të largohen.

Bëhet me dije se fluturimeve amerikane që transportojnë staf diplomatik jashtë vendit iu është dhënë përparësi. Kjo situatë ka shkaktuar zemërim dhe ka çuar në më shumë kaos dhe konfuzion.