13 maj 2015 – Futbolli spanjoll po shkon drejt një kaosi të paparë ndonjëherë gjatë viteve të fundit. Situata është vërtet serioze, duke krijuar një episod të paprecedentë që mund të shkaktojë një zinxhir ngjarjesh.

Gjeneza e kësaj situate është te çështja e të drejtave televizive, që edhe më parë është bërë shkak për përplasje mes palëve të ndryshme. Më 30 prill, qeveria spanjolle prezantoi një ligj që parashikon t’i japë fund hemegjemonisë së Realit dhe Barçës në të ardhura, duke prezantuar kështu një sistem shpërndarje më të drejtë për skuadrat e ashtuquajtura të vogla. Fillimisht ligji u përshëndet gjerësisht, por Unioni i Futbollistëve Spanjollë shprehu rezerva për disa çështje që mbeten të pazgjidhura, duke paralajmëruar kështu nisjen e grevës prej 16 majit. Mes këtij Unioni dhe drejtuesve të Ligës Spanjolle pati një takim gjatë orëve të fundit në Madrid, por negociatat dështuan.

Kështu siç qëndrojnë gjërat, futbolli në Spanjë po shkon drejt një greve që e bën të paparashikueshme fundin e sezonit në La Liga. Me finalen e Kupës së Mbretit më 30 maj, finalen e Championsit më 6 qershor, si dhe me nisjen e Kupës së Amerikës pak ditë më vonë, nëse greva do të ndodhë vërtet, vështirë se mund të gjenden data të lira për 2 javët e fundit të kampionatit spanjoll.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/