Një tjetër natë protestash të dhunshme u regjistrua të shtunën mbrëma në Tbilis të Gjeorgjisë. Protestuesit hodhën fishekzjarre jashtë parlamentit, disa në drejtim të policisë të cilët u përgjigjën duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës. Përleshjet e dhunshme erdhën pasi presidentja Salome Zurabiçvili u bëri thirrje mbështetësve për protesta në mbrojtje të pavarësisë së vendit nga Rusia.
Ajo tha se nuk do të largohet nga posti edhe pas mbarimit të mandatit këtë muaj, si reagim ndaj vendimit të kryeministrit prorus për të ndërprerë procesin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ngrirja e bisedimeve ka nxitur protesta në mbarë vendin pasi Gjeorgjia e ka edhe në Kushtetutë aspiratën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Gjeorgjia është zhytur në një nga krizat më të thella politike që pas shkëputjes nga ish-Bashkimi Sovjetik, si pasojë e zgjedhjeve parlamentare të Tetorit që u fituan me rreth 54% nga partia “Ëndrra gjeorgjiane” e kryeministrit prorus Kobahidze. Presidentja dhe opozita proevropiane nuk njohën rezultatin dhe akuzuan partinë në pushtet për blerje masive të votave me ndihmën e Moskës.