DURRËS, 9 nëntor 2014 – Rrezikohet seriozisht zhvillimi i Kupës së Afrikës 2015. Vendi organizator Maroku, ka përsëritur kërkesën e tij që kompeticioni të shtyhet me një vit, për shkak të përhapjes së virusit të Ebolas. Në këtë mënyrë Maroku ka kthyer pas ultimatumin e CAF, Konfederatës Afrikane të Futbollit duke përjashtuar praktikisht mundësinë që të jetë ai vendi mikpritës i kompeticionit.
Vendimi përfundimtar mbi eventin, që është programuar nga 17 janari deri në 8 shkurtin e 2015-ës, do të merret javën e ardhshme kur është parashikuar eedhe një takim mes palëve në 11 nëntor në Kairo. Skenarët hipotetike janë dy, zhvillimi i Kupës së Afrikës në një vend tjetër, apo dhe anullimi i eventit, që është një opsion i cili shkon kundër vullnetit të CAF, edhe për arsye ekonomike. Maroku nga ana e tij rrezikon një skualifikim të gjatë nga turnetë ndërkombëtarë.
Virusi Ebola ka shkaktuar deri më tani mbi 5000 të vdekur në Afrikë, (sidomos në Guine, Liberi dhe Sierra Leone), dhe Ministria e Shëndetësisë në Marok ka parlajmëruar për rrezikshmëri shumë të lartë, mbi të gjitha për mundësinë që tifozë nga zonat më të goditura nga virusi ta përcjellin atë në Marok.





