2 mars 2015 – Kaosi që ka përfshirë Parmën kërcënon Serinë A. Liga e kategorisë maksimale të futbollit italian duhet të vendosë të premten e ardhshme në samitin e Milanos se si do të veprojë me klubin emilian për të mos kompromtuar ecurinë e kampionatit. Rruga më e thjeshtë duket ajo e dhënies së grantit prej 10 milionë Eurosh në mënyrë që të garantohet mbijetesa e Parmës, si klub edhe për ndeshjet e mbetura të Serisë A. Klubet duhet të bien unanimisht dakord në favor të kësaj zgjidhjeje në asamblenë e 6 marsit.
Ato 10 milionë Euro mund të akordohen një pjesë nga fondi i garancisë që Seria A ju jep klubeve kur bien nga kategoria, dhe tashmë duket mëse e sigurt se Parma do të bjerë në Serinë B. Ky fond mund të garantojë deri në 4.5 milionë Euro, ndërsa pjesa tjetër duhet të jepet nga klubet e tjera të Serisë A, gjithmonë nëse ato do të bien dakord për dicka të tillë. Kjo duket zgjidhja e vetme pasi nuk do të ketë më shtyrje të ndeshjeve. Pas shtyerjes të dy takimeve të fundit, Parma -Udinese dhe Genoa – Parma që ishte programuar për t'u luajtur këtë të dielë nuk do të ketë shtyrje tjetër, pasi do të kalohet automatikisht në kampionatin me 19 skuadra, me të 15 ndeshjet e mbetura të Parmës që do të akordohen në tavolinë për skuadrat kundërshtare me rezultatin 3-0. Presidenti i klubit, Giampiero Manenti ka bërë një hap pas duke i befasuar të gjithë. Pas deklaratave siguruese se i kishte paratë e nevojshme, por duheshin vetëm pak ditë kohë që ato kalonin në llogarinë e klubit për shkak të procedurave burokratike, Manenti ka deklaruar se është i gatshëm ta shesë klubin nëse i vjen ndonjë ofertë.





