Javët e para të funksionimit të parkimit të madh publik me 7 nivele, tek Stacioni i Trenit në Durrës kanë nxjerrë në pah jo vetëm projektimin e gabuar të tij, me hyrje-dalje në kënd pingul me rrugën, por edhe mangësitë në sinjalistikë.

Përpara hyrje-daljes së parkimit, sinjalistika rrugore horizontale është vijë e pandërprerë, por makinat kthehen pa problem. Kjo ndodh edhe sepse në dalje të parkimit janë vetëm dy tabela vertikale, që sinjalizojnë drejtuesit e mjeteve për të ndaluar (STOP) dhe për të pasur kujdes këmbësorët tek vijat e bardha.

Aty mungon një tabelë me sinjalistikën djathtas, që ta orientojë drejtuesin e mjetit se në dalje të parkimit duhet të lëvizë drejt qytetit dhe jo të tentojë daljen e menjëhershme prej Durrësit.

Pavarësisht se u desh një vit më tepër për të përfunduar, nga ajo çfarë ishte parashikuar në afatin e punimeve, kjo nuk u shërbeu autoriteteve për të realizuar një parkim publik (në fillim të shkurtit do të kthehet me pagesë) brenda të gjitha standarteve bashkëkohore të lëvizshmërisë.

Në këto javë të para të funksionimit, parkimi ka dëshmuar se do të shtojë edhe më shumë kaosin urban në qarkullim për shkak të trafikut të rënduar që krijon në rrugën “Mars 91” dhe lëvizjen kaotike të automjeteve, që dalin prej tij.

Në momentin që të gjitha automjetet që dalin prej parkimit do t’i drejtohen qytetit, aksi në fjalë do të kthehet në një segment, ku të gjitha makinat që qarkullojnē drejt Durrësit do të përballen me trafik të rënduar dhe radhë të gjata pritjeje!

M.B.